Në një deklaratë nga Pallati Buckingham, Princi Andrew njoftoi se po heq dorë nga titulli “Duka i York-ut” dhe nga nderimet e tjera zyrtare, në mes të një vale të re akuzash lidhur me miqësinë e tij me trafikantin e ndjerë të seksit, Jeffrey Epstein.
Andrew, 65 vjeç, mohon çdo shkelje ligjore, por u tërhoq nga detyrat mbretërore në vitin 2019 për shkak të lidhjeve me Epstein. Në vitin 2022 ai u privua nga të gjitha patronazhet mbretërore dhe titujt ushtarakë.
Këtë javë, mediat britanike publikuan fragmente nga një kujtim postum i Virginia Giuffre, akuzuesja më e njohur e Epstein-it, e cila ka pohuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me princin kur ishte 17 vjeçe. Andrew i ka mohuar këto akuza dhe në vitin 2022 arriti një marrëveshje jashtëgjyqësore me Giuffre. Ajo ndërroi jetë këtë vit, pas një vetëvrasjeje.
Në deklaratën e publikuar nga pallati të premten mbrëma, Andrew tha se “akuzat e vazhdueshme… e largojnë vëmendjen nga puna e Madhërisë së Tij, Mbretit Charles”. Ai shtoi se, pas “diskutimeve” me mbretin dhe me “familjen e gjerë mbretërore”, ka vendosur të “mos përdorë më titullin apo nderimet që i janë dhënë”. Princi theksoi gjithashtu se “i mohon me vendosmëri” akuzat ndaj tij.
Andrew mbetet ende princ dhe pritet të vazhdojë të jetojë në një rezidencë mbretërore pranë Kështjellës Windsor. Vajzat e tij do të vazhdojnë të mbajnë titujt e princeshave, por ish-bashkëshortja e tij, Sarah Ferguson, do të humbasë gjithashtu titullin e “Dukeshës së York-ut”.