Në mesazhin e tij të urimit për festën e Pashkëve, Princi Charles solli në vëmendje luftimet nëpër botë dhe pasojat që ato sjellin. Ndonëse shmangu përmendjen e emrit të Ukrainës, urimi tij dukshëm i dedikohej këtij populli, ku prej dy muajsh luftime po merren jetë të pafajshmish.
Urimin e Pashkëve edhe Princi i Wellsit ia dedikoi luftës në Ukrainë.
Në fjalën e tij Charles u shpreh zemërthyer për humbjet dhe tha se të larguarit nga lufta kanë neovojë për ndihmën e të gjithëve.
“Sot, miliona njerëz e gjejnë veten të zhvendosur, të lodhur nga udhëtimi i tyre nga vendet e trazuara, të plagosur nga e kaluara, të frikësuar nga e ardhmja. Ata kanë nevojë për një mirëseardhje, pushim dhe mirësinë” u shpreh ai.
Thellësisht prekëse të shohësh ndër vite se si kaq shumë njerëz janë gati të hapin shtëpitë e tyre për ata në nevojë për t’i ndihmuar të përballen me pikëllimin dhe vështirësi të tilla që shkatërrojnë shpirtin”- përmbylli mesazhin e tij Princi.
Gjatë gjithë fjalës së tij Charles u përpoq të mos evidentonte emrin e Ukrainës, megjithatë së fundmi ka vizituar Katedralen Katolike të Ukrainës në Londër, ku ndezi qiri në shenje solidariteti.
Mesazhi i Princit Charles për pashkët kujton veprimet e Jezusit në Darkën e Fundit kur ai u gjunjëzua para dishepujve, duke vënë theksin tek parimi i kujdesit dhe shërbimit ndaj njëri-tjetrit, që shërben si një shembull i përjetshëm i mirësisë.

