rinci dhe Princesha e Uellsit janë gati për një fillim të ri familjar. Sipas mediave britanike, William dhe Kate, së bashku me tre fëmijët e tyre, Princin George (12), Princeshën Charlotte (10) dhe Princin Louis (7) – do të zhvendosen në shtëpinë e tyre të re, Forest Lodge, në Windsor, në fillim të nëntorit.
Rezidenca luksoze, e vendosur në zemër të Windsor Great Park, përfshin tetë dhoma gjumi dhe konsiderohet të jetë “shtëpia e përhershme” e familjes mbretërore pas një periudhe të gjatë sfidash personale. Fillimisht ishte planifikuar që familja të vendosej aty për Krishtlindje, por punimet e rinovimit përfunduan më herët se sa ishte parashikuar.
Sipas burimeve të “Daily Mail”, stafi ka nisur tashmë zhvendosjen e sendeve personale të familjes, ndërsa përreth pronës është ngritur një perimetër sigurie prej 150 hektarësh, në bashkëpunim me Home Office, për të garantuar privatësinë dhe sigurinë e tyre.
Fëmijët e çiftit mbretëror ndodhen aktualisht në pushimin e gjysmëvitit nga shkolla Lambrook, që nisi më 17 tetor.
Ndërkohë, Princi William do të udhëtojë në Brazil nga 3 deri më 7 nëntor për të marrë pjesë në Earthshot Prize dhe në konferencën ndërkombëtare për klimën COP30, ndërsa Princesha Kate do të qëndrojë në Angli për të mbikëqyrur mobilimin dhe arredimin e rezidencës së re.
Zhvendosja në Forest Lodge shihet si një fillim i ri dhe simbolik për çiftin pas një periudhe të vështirë për familjen mbretërore. Humbja e Mbretëreshës Elizabeth në vitin 2022, diagnoza e kancerit për Kate dhe Mbretin Charles në fillim të 2024, si dhe presioni i jetës publike, kanë qenë ndër momentet më sfiduese të viteve të fundit për William dhe Kate.
Burime pranë pallatit thanë për median britanike se çifti “është i fokusuar në ndërtimin e një jete më të qetë dhe më të balancuar për fëmijët e tyre, në një ambient që ofron privatësi, natyrë dhe stabilitet”.