Rreth 30 kamionë të kësaj kompanie kanë bllokuar njërën nga rrugët kryesore të kryeqytetit sot në mëngjes duke protestuar me kamionë
Kompania private “Pastrimi” e cila shërben për pastrimin e ambientit në Prishtinë si dhe disa rajone tjera të Kosovës, ka protestuar sot në rrugët pranë Qeverisë si shenjë pakënaqësie me mospërfshirjen e punëtorëve të saj në Pakon përfituese Emergjente, raporton Anadolu Agency (AA).
Rreth 30 kamionë nga gjithsej 140 të kësaj kompanie, kanë bllokuar rrugën “Agim Ramadani” e cila ndodhet pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë për 1 orë, duke u rënë burive dhe duke ngarë me shpejtësi minimale nën kontrollin e Policisë së Kosovës.
Kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Burim Kelmendi, deklaroi se nëse Qeveria nuk ndërmerr veprime për pagimin e punëtorëve të saj, atëherë rrezikohet mbyllja e kompanisë dhe humbja e vendeve të punës.
Më tej, ai bëri të ditur se dëmi i shkaktuar nga epidemia për kompaninë e tyre është 1 milion euro, përfshirë edhe borxhin e qytetarëve ndaj tyre.
“Kjo është një protestë si shenjë thirrje e fundit për Qeverinë para se të vijmë në kolapsin ekonomik. Ne nuk jemi duke bërë këtu politikë me askënd. Kompanitë tona si ‘Pastrimi’ si ato të tjerat regjionale rrezikojnë të mos ua japin pagën punëtorëve. Ne jemi kompani me vetëfinancim. Dëmtimi që na është bërë këta tre muaj është mospagesa e punëtorëve nëpërmjet Pakos Emergjente”, tha Kelmendi.
Ai theksoi se protesta u është përmbajtur rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Protesta fillimisht është paraparë të mbahet deri në orën 12:00 por u shkurtua për të mos i mbajtur policët në rrugë si dhe punëtorët për kohë të gjatë “për shkak të Muajit të Ramazanit”.
Qeveria e Kosovës miratoi më 31 mars Pakon Emergjente Fiskale për shkak të vështirësive ekonomike të sektorit privat, vendim i cili parasheh mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare “si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik”, duke mbuluar shpenzimet e pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 eurove për muajt prill dhe maj, masë kjo që do të kushtojë deri në 41 milionë euro për Qeverinë.