Në vizitën e tij të parë në Francë, si sovran, Mbretit Charles III i është rezervuar një pritje me atë që cilësohet standardi i artë i mikpritjes franceze. Charles do të pritet në Pallatin e Versajës, selia e monarkisë përpara Revolucionit Francez të vitit 1789, aktualisht muze, por përdoret herë pas here nga presidentët francezë për të pritur liderë të caktuar.
Mbreti Charles III u prit në aeroportin e Parisit nga kryeministrja Élisabeth Borne, për të marrë pjesë më pas në një ceremoni në Harkun e Triumfit, në prani të presidentit Macron dhe gruas së tij, Brigitte.
Ceremonia vijoi me vendosjen e një kurore në Varrin e Ushtarit të Panjohur për të “shënuar sakrificat e përbashkëta të së kaluarës dhe një trashëgimi të qëndrueshme bashkëpunimi”, sipas Buckingham Palace.
Franca, e cila i preu kokën mbretit Luigj XVI, ka një lidhje të gjatë “dashurie” me familjen mbretërore britanike dhe gjatë 170 viteve të fundit shpesh i ka pritur ata në Versajë.
Perandori Napoleoni III organizoi një ballo me 1200 të ftuar në operën mbretërore në Versajë kur mbretëresha Viktoria e vizitoi në 1855, vizita e parë e një monarku britanik në Paris në 400 vjet.
Ndër pritjet më madhështore ishte ajo e vitit 1903, që iu rezervua Eduardit VII, një gosti me 16 pjata.
Në kohën e Elizabeth II, menyja u reduktua në katër ose pesë pjata, me një bazë që nuk ndryshoi pothuajse asnjëherë: foie gras.
Në Versajë janë pritur edhe emra të njohur të politikës.
Në vitet e pasluftës, presidenti Charles de Gaulle e përdori atë për të pritur John F. Kennedy dhe Richard Nixon kur ata ishin presidentë të SHBA-së, si dhe Shahun e Iranit.
Më pas, Francois Mitterrand priti liderin sovjetik Mikhail Gorbachev.
Nicolas Sarkozy dhe Francois Hollande e përdorën rrallë Versajën. Aty u prit vetëm lideri i Libisë, Muamar Kadafi nga i pari dhe presidenti kinez Xi Jinping nga i dyti.
Në vitin 2017, para pushtimit rus të Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin u mirëprit atje nga homologu i tij francez, Emmanuel Macron.
Macron e ka përdorur Versajën për të promovuar Francën edhe te investitorët e huaj. Aty është pritur themeluesi i Tesla-s, Elon Musk.