Dikur shqetësoheshim që planeti të popullohej së tepërmi, por ka edhe shumë anë negative të uljes së popullsisë globale.
Ne e imagjinonim njerëzimin duke populluar universin. Në librin “Foundation” të Isaac Asimov (1952), njerëzimi ka krijuar një perandori të madhe shumëplanetare deri në vitin 47000.
Kur Asimov lindi në vitin 1920, popullsia globale ishte rreth 1.9 miliardë. Kur ai publikoi librin e tij “Foundation”, ishte 2.64 miliardë. Deri në kohën e vdekjes së tij në 1992, ishte 5.5 miliardë, gati tre herë më shumë se sa ishte në lindjen e tij. Duke marrë parasysh se kishte pasur vetëm 500 milionë njerëz, kur Kristofor Kolombi zbarkoi në Botën e Re, përhapja e specieve homosapiens në epokën moderne, kishte qenë një arritje mahnitëse.
Nuk është çudi, që disa anëtarë të gjeneratës së Asimovit, iu frikësuan mbipopullimit dhe shqetësoheshin për një katastrofë të afërt. Kjo çoi në të gjitha llojet e përpjekjeve, për të promovuar metodat kontraceptive dhe abortin, siç përshkruhet në librin “Fatal Misconception: The Struggle to Control World Population” të Matt Connelly (2008). Midis tyre ishte politika e Kinës me një fëmijë, ndërhyrja më e ashpër ndonjëherë e qeverisë në sjelljen riprodhuese njerëzore.