Produktet serbe gjithnjë e më shumë po shtohen në tregun e Shqipërisë. Nëpër marketet e Shqipërisë ajo që bie në sy është fakti se produkte me orgjinë serbe shërbehen me kosto më të ulët se produktet shqiptare. Kjo sidomos te qumështi, i cili shitet me rreth 17 centë më lirë sesa ai i prodhuar në Shqipëri. Por nuk është ky produkti i vetëm që vjen më lirë nga Serbia. Edhe lëngjet e frutave kanë diferencë çmimesh.
Sekretari i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra, ka shpjeguar fenomenin e depërtimit të mallrave serbe me çmim të lirë në Shqipëri, shkruan Koha Ditore.
“Në përgjithësi produktet e huaja, natyrisht vijnë më lirë dhe më lehtë në tregun shqiptar për një arsye; qeveritë përkatëse e kanë parasysh se çfarë duhet të bëjnë brenda vendit të tyre, brenda sistemit të tyre, qoftë fiskal apo procedural në lidhje me qasjen që duhet të kenë në tregjet e tjera produktet e tyre”, ka deklaruar Shkodra.
Në Serbi, ka sqaruar ai, fermeri e ka më të lehtë për t’u qasur në tregun e huaj sesa në vendin e tij, pasi ky vend i nxit bizneset e veta në strukturën e kostove dhe kjo, sipas tij, është një arsye se pse qumështi serb është më i liri në rajon. Ai shton se aktualisht Qeveria serbe po harton një dokument për politikat industriale, që synon t’i bëjë industritë e saj më konkurruese. Shkodra thotë se ekonomia shqiptare dhe bizneset janë shumë të pastrukturara nga brenda.