Bota
“Profecia” e Yuval Noah Hararit: Furtuna do të kalojë, por zgjedhjet e sotme do të na ndryshojnë jetën
“Furtuna e koronavirusit do të kalojë, por zgjdhjet që bëjmë këto ditë mund të na ndryshojnë jetët tona për shumë kohë”. Kjo është profecia e Yuval Noah Hararit, historianit izraelit 44-vjeçar, autor i tre best seller-ave ndërkombëtarë: “Homo Deus: Një histori e shkurtër e njerëzimit”, “Një histori e shkurtër e të ardhmes” dhe “21 mësime për shekullin XXI”. Kohët e fundit, Harari është bërë një prej intelektualëve më të ndjekur të planetit.
Sfida që paraqet Covid19, pohon sot Harari, duhet ta shtyjë njerëzimin që “të mbyllë kufijtë mes virusit dhe njeriut”, por jo mes shteteve. Duhet ta shtyjë që të zgjedhë solidaritetin global dhe jo nacionalizmin izolacionist. Duhet ta shtyjë të dëgjojë udhëheqës që duan të bashkojnë popujt e tyre, dhe jo t’i përçajnë ata. “Shkurt, duhet të hapemi dhe jo të mbyllemi në vetvete, të emancipojmë qytetarët në vend se të forcojmë kontrollin totalitar”. Harari ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane La Repubblica, përmes telefonit nga shtëpia e tij në Tel Aviv, ku jeton në një moshav, komunitet bujqësor hebraik i ngjashëm me kibbutz-ët, aty ku praktikon veganizmin dhe meditimin.
Kjo pandemi është kriza më e madhe globale e brezit tonë, apo jo profesor?
Padyshim që po. Ka përfshirë tashmë të gjithë botën dhe do të ketë pasoja të thella, si nga pikëpamja shëndetësore, ashtu edhe ajo ekonomike. Furtuna e virusit në një moment të caktuar do të kalojë, por zgjdhjet që ne bëjmë gjatë këtyre ditëve për ta përballuar atë, mund të ndryshojnë jetët tona për shumë kohë.
A është kjo një sfidë më e madhe, se sa ajo e krizës së rëndë financiare të vitit 2008, apo se sa kriza e ndryshimeve klimatike?
Eshtë më e madhe se sa kolapsi financiar, sepse kjo nuk është një krizë vetëm ekonomike, por mund të ndryshojë çdo aspekt të jetës sonë shoqërore. Nuk është më e madhe se sa kriza e ndryshimeve klimatike, për shkak se ne i kemi instrumenat për ta zgjidhur pozitivisht, dhe relativisht më shpejt, krahasuar me dëmet që shkakton ndotja. Por nëse ne bëjmë zgjedhjet e gabuara, edhe kriza e koronavirusit do të ketë pasoja të rënda që do të zgjasin në kohë.
Çfarë zgjedhjesh? Për të perifrazuar titullin e librit tuaj të fundit, e përmban koronavirusi një mësim për shekullin e njëzetenjëtë?
Jo një, po dy mësime: mes nacionalizmit izolacionist dhe solidaritetit global; dhe mes kontrollit totalitar dhe emancipimit të qytetarëve. Marrim të parin: secili shtet mund të përpiqet ta përballojë pandeminë në mënyrë individuale, ose mund të bëhet pjesë e një plani global veprimi. I dyti është zgjedhja mes tundimit totalitar për të kontrolluar çdo infeksion nga lart, me shtetin që zbaton padallim çfarëdolloj mase, ose mund t’u japësh më shumë zë dhe përgjegjësi qytetarëve. Do të thotë të pranosh që vetëm një shoqëri me një nivel të lartë arsimimi dhe ndërgjegjësimi dhe një sens të fortë qytetar, mund të kuptojë se çfarë është e nevojshme për të mposhtur virusin. Natyrisht, unë uroj që të zgjidhet opsioni i dytë në të dyja rastet, përndryshe do të kemi një botë të mbyllur në vetvete, më pak të sigurtë dhe më pak demokratike.
A nuk do të shpjerë pandemia drejt fundit të globalizimit?
Për mua duhet të shpjerë drejt një globalizimi më të mirë. Mbyllja është reagimi i gabuar. Pandemitë ekzistonin edhe në një botë të mbyllur si ajo e Mesjetës, kur Vdekja e Zezë vrau një të tretën e popullsisë së Tokës. Duhet të kthehemi në epokën e gurit, kur njerëzit jetonin në komunitete shumë të vogla pa kontakte mes tyre, për të gjetur një model shoqërie të mbyllur që mund t’i shpëtojë epidemive. Sot, vetëm bashkëpunimi, solidariteti dhe një përpjekje e përbashkët nga të gjithë mund ta zgjidhë problemin dhe ta shtyjë qytetërimin tonë të hedhë një hap përpara. Duhet të mbyllim kufijtë mes virusit dhe njeriut, jo kufijtë mes njerëzve, apo mes kombeve e shteteve.
E megjithatë “globalizimi” është një term që shumëkush në Perëndim vazhdon ta konsiderojë si negativ.
Globalizimi nuk mund të gjykohet në mënyrë bardhë e zi. Edhe ushqimi italian është një produkt i globalizimit. Kështu ka qenë gjithmonë: ishin konkuistadorët spanjollë që sollën në Itali domatet, nga Amerika Latine. Nëse dikush është kundër globalizimit, do të duhej të mos imagjinonte më spageti me domate.
Ju keni shkruar se në këtë vit 2020, me kriza të paprecedenta mungon një udhëheqje globale. Në të kaluarën, gjatë dy luftërave botërore dhe përgjatë të gjithë Nëntëqindës, ka qenë Amerika që e ka ofruar këtë lidership. A mund ta ofrojë sërish, nëse Biden mund Trumpin, apo do u takojë të tjerëve?
Për momentin, Amrika as nuk po përpiqet të ofrojë një lidrship global. Përveç faktit që Trumpi në fillim e injoroi virusin si një kërcënim serioz dhe më pas vonoi në ndërhyrje, edhe tani vazhdon që të thotë “Amerika e para!”. Dhe po arrin atë që deshte, Amerika është e para për nga numri i të infektuarve dhe viktimave. Por edhe nëse në nëntor Trumpi do të humbte dhe në Shtëpinë e Bardhë do të vinte Bideni, gërryerja e besimit tek Amerika gjatë katër viteve të fundit ka qenë kaq e thellë, saqë rikthimi i këtij besimi nuk do të jetë as i thjeshtë dhe as i shpejtë. Për të patur një udhëheqje globale, bota nuk mund të presë çdo katër vjet për të parë se kush është president i Shteteve të Bashkuara: duhet të mbështetet më shumë tek vende të tjera, dhe mbi të gjitha tek institucionet ndërkombëtare, tek shumëpalësia, nga OKB tek Bashkimi Evropian, nga G20 tek Organizata Botërore e Shëndetit. Shpresoj që kriza e koronavirusit të shërbejë edhe për këtë, për të nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit global.
Çfarë mendoni për mënyrën si po e përballon Italia epideminë?
Kam parë shumë sinjale inkurajuese, të frymës komunitare, të bashkëpunimit. Dallohen edhe në Itali, ashtu sikurse gjetkë, edhe të tjera fenomene: nxitje të urrejtjes ndaj të huajve, përpjekje për të ndarë jo vetëm shtetin nga shteti, por edhe qytetarë brenda të njëjtit shtet. Kush mendon ndryshe nga ti nuk shihet më si një kundërshtar legjitim, por si tradhëtar i atdheut. Në kohëra pak a shumë normale, është e mundur të qeverisësh mee 51% të votave, të vësh gjysmën plus një kundër gjysmës minus një. Por në një krizë si kjo pandemi, përpjekja për ta bërë këtë do të rezultontë në katastrofë. Ja pra mësimi tjetër që mund të nxjerrim nga koronavirusi: nevoja për një udhëheqje që të bashkojë shoqëritë tona, në vend se t’i ndajë, siç përpiqen të bëjnë populistët dhe nacionalistët.
Po ju ku ndiheni më mirë, si në shtëpi? Në moshavin tuaj? Në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit? Në plazhin kozmopolit të Tel Avivit?
Jetoj në një moshav, një komunitet bujqësor, më pëlqen se është qetësi, por njëkohësisht pranë një qyteti shumë të gjallërishëm dhe kozmopolit, siç me të drejtë e quajtët ju Tel Avivin. Shkoj në Jeruzalem sepse jap mësime historie në Universitetin Hebraik, por Qyteti i Shenjtë është një vend plot me tensione, ku shumë njerëz urrejnë të tjerët. Ndjehet në ajër. Nuk do të jetoja dot atje.
Situata politike në Izrael nuk është aspak e qetë.
Jemi në një stinë kaosi, të cilës koronavirusi i shtoi tundimin për të instrumentalizuar pandeminë për të zbatuar gjendjen e jashtëzakonshme, masa speciale. Eshtë një risk që e ndeshin edhe vende të tjerë: ngjitja e regjimeve antidemokratike me pretekstin e luftimit të Covid19.
Dhe meqë e keni disiplinë të përditshme, a na rekomandoni ne të tjerëve meditimin, duke qenë se jemi të mbyllur në shtëpi këto kohë?
Unë e praktikoj dy orë në ditë edhe në kohë normale, por ndihmon për të patur një ekuilibër. Meditimi, në fund të fundit të ndihmon të njohësh veten tënde, ankthet e tua, frikërat, të cilat vazhdojnë të ekzistojnë gjithësesi, por t’i mëson të jetosh me to dhe t’i kontrollosh. Dhe në një moment krize të madhe si kjo, kemi shumë nevojë për ekuilibër dhe dije. / Marrë nga La Repubblica – Në shqip nga bota.al
Bota
Grabitje spektakolare në Gjermani, hajdutët vjedhin 30 milionë euro nga një bankë
Një grabitje e përmasave të mëdha ka tronditur Gjermaninë perëndimore, ku hajdutë të paidentifikuar kanë vjedhur rreth 30 milionë euro nga një degë e bankës Sparkasse në qytetin Gelsenkirchen.
Sipas policisë, autorët përdorën një shpues industrial për të hapur kasafortën nëntokësore, duke e realizuar operacionin në mënyrë tepër profesionale, të krahasueshme me skenarët e filmave të Hollivudit.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë ditëve të qeta të Krishtlindjeve. Hetimet paraprake tregojnë se grabitësit hynë dhe u larguan nga godina përmes një garazhi parkimi ngjitur me bankën. Ata thyen mbi 3000 kasaforta personale që përmbanin para, ar dhe bizhuteri. Grabitja u kuptua vetëm në orët e para të së hënës, kur u aktivizua një alarm zjarri.
Dëshmitarë okularë kanë raportuar se panë disa persona që transportonin çanta të mëdha gjatë natës, ndërsa kamerat e sigurisë kanë regjistruar një automjet luksoz, Audi RS6 të zi, duke u larguar nga garazhi. Deri tani nuk ka arrestime.
Banka Sparkasse ka njoftuar se 95% e kasafortave janë hapur me forcë dhe ka kërkuar nga klientët të kontaktojnë një linjë të posaçme. Çdo kasafortë është e siguruar deri në vlerën 10300 euro.
Bota
George dhe Amal Clooney marrin shtetësinë franceze së bashku me fëmijët e tyre
Aktori i njohur amerikan George Clooney, bashkëshortja e tij Amal Clooney, avokate e të drejtave të njeriut, si dhe binjakët e tyre Ella dhe Alexander, janë pajisur zyrtarisht me shtetësinë franceze. Vendimi është bërë publik në Journal Officiel, organi zyrtar ku publikohen dekretet e qeverisë franceze.
Familja Clooney jeton kryesisht në një fermë në Brignoles, në jug të Francës, blerë në vitin 2021. Kryebashkiaku i qytetit, Didier Brémond, u shpreh për mediat lokale se zgjedhja e çiftit për t’u bërë shtetas francezë tregon “dashurinë e tyre për Francën”, duke i përshkruar si një familje të thjeshtë dhe të aksesueshme.
Në një intervistë për revistën Esquire, Clooney tregoi se vendimi për t’u zhvendosur në Francë lidhej me shqetësimin për rritjen e fëmijëve në Los Anxhelos dhe ndikimin e kulturës së Hollivudit. Ai theksoi se dëshironte një jetë më normale për ta, larg paparacëve dhe krahasimeve me fëmijë të tjerë të famshëm.
Binjakët e çiftit kanë lindur në Londër në vitin 2017. Amal Clooney, e lindur në Liban dhe e rritur në Britani, është natyralizuar me mbiemrin e saj të vajzërisë, Amal Alamuddin. Ndërsa fëmijët dhe Amal flasin rrjedhshëm frëngjisht, George Clooney pranon me humor se gjuha franceze mbetet ende një sfidë për të.
Bota
Raporti amerikan zbulon se sa armë bërthamore zotëron Kina dhe a mund të sulmojë SHBA-të!
Një raport i ri i Pentagonit detajon aftësitë raketore bërthamore të Kinës dhe aftësinë e saj për të goditur Shtetet e Bashkuara në rast të një lufte botërore.
Raporti, i cili iu dorëzua Kongresit më 23 dhjetor, thotë se Kina është e aftë të godasë pjesën më të madhe të SHBA-së me raketat DF-31.
Raporti nënvizon:
“Përforcimi historik ushtarak i Kinës e ka bërë kontinentin e SHBA-së gjithnjë e më të prekshëm. Kina mban një arsenal të madh dhe në rritje të armëve bërthamore, detare dhe konvencionale me rreze të gjatë veprimi, si dhe aftësi kibernetike dhe hapësinore, të afta të kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë e amerikanëve”.
Qëllimi përfundimtar i Kinës
Departamenti Amerikan i Luftës pretendon se qëllimi përfundimtar i Kinës është të bëhet një superfuqi globale deri në vitin 2049, e aftë të mbrojë të gjitha interesat e vendit.
Me një ushtri të klasit botëror, Departamenti Amerikan beson se Kina do të kërkojë të pushtojë Tajvanin dhe ta përfshijë atë në Kinë, pasi ajo tashmë e pretendon ishullin si pjesë të shtetit kinez.
Raporti tha gjithashtu se Kina ka të paktën 100 raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) DF-31, të cilat janë zhvendosur në vende nëntokësore lëshimi, të njohura si silos. Këto raketa kanë një rreze veprimi prej 11,000 kilometrash, duke mbuluar pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara.
Këto silura janë vendosur në zona të largëta në Kinën veriore dhe perëndimore: në Hami, Xinjiang, Yumen, Gansu dhe Yulin, Mongolia e Brendshme, pranë kufirit me Mongolinë. Edhe pse Kina vlerësohet të ketë gjithsej 320 silo në këto tre zona, SHBA-të besojnë se vetëm 100 prej tyre janë të pajisura me raketa.
“Trump kërkon paqe”
Duke folur për Daily Mail, një zyrtar i lartë i Departamentit të Luftës tha se Donald Trump dhe administrata e tij po kërkojnë të ulin tensionet dhe në fund të fundit të shmangin çdo konflikt global, siç është një Luftë e Tretë Botërore.
“Presidenti Trump kërkon një paqe të qëndrueshme, tregti të drejtë dhe marrëdhënie të respektueshme reciprokisht me Kinën. Departamenti i Luftës do të mbështesë qëllimin e Presidentit duke hapur një gamë më të gjerë komunikimesh ushtarake me Ushtrinë Çlirimtare Popullore dhe duke kërkuar mënyra të tjera për t’i bërë të qarta qëllimet tona paqësore”, tha ai.
Frika e republikanëve
Megjithatë, disa republikanë kanë paralajmëruar për “kërcënimin” që Kina përbën për SHBA-të në të ardhmen.
Sipas një raporti nga ‘Politico’, përfaqësuesi Nathaniel Moran paralajmëroi se Kina mund të kthehet kundër SHBA-së në sektorin farmaceutik, pasi furnizon rreth 80% të përbërësve aktivë farmaceutikë të përdorur në Shtetet e Bashkuara.
“Brenda natës, Kina mund të mbyllë rubinetin dhe shumë produkte thelbësore farmaceutike, madje edhe gjëra si aspirina, mund të zhduken nga zinxhiri i furnizimit në Shtetet e Bashkuara”, paralajmëroi ai.
Ai iu referua gjithashtu fuqisë ushtarake në rritje të vendit dhe shtoi:
“Ne e dimë se qëllimi afatgjatë i Kinës është në thelb dominimi ekonomik, diplomatik dhe ushtarak në të gjithë botën, dhe ata i shohin Shtetet e Bashkuara si një kundërshtar”.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
UK18 hours agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
-
Albania19 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
