Në një intervistë për ALBUK TV, Profesor Lekë Pepkolaj, PhD, lidhur me angazhimin e tij në fushën e arsimit, ka thënë se “Dija nuk ekziston në qoftë se nuk e ndan me të tjerët”.
Po ashtu Profesor Pepkolaj ka vlerësuar se arsimi parauniversitar është pika kyçe e arsimit në tërësi, sepse përfshin arsimin e detyrueshëm.
Intervista e plotë:
Profesor shoh që adminstroni në Facebook grupin “Mësuesit dhe teknikat e mësimdhënies” me afër 14 000 pjesëmarrës. Pse ky interes i juaji për mësuesit dhe arsimin parauniversitar?
Janë kërkimet e mia shkencore që më afruan si fillim me mësuesit dhe arsimin parauniversitar. Studimet doktorale në itali ndikuan fort në bindjet e mia konstrucioniste për dijen. Dija nuk ekziston në qoftë se nuk e ndan me të tjerët. Grupi është shtuar shumë dhe e them me plot bindje që është grupi më i mirë në facebook, një grup profesional, demokratik, jo politik. Tani përveç kontakteve të përditshme me problematikat e mësuesve kam zhvilluar dhe monitoruar mbi dhjetra trajnime të gjitha me tematika të ndryshme sikur i kërkojnë mësuesit.
Sa dhe si kanë ndryshuar në vite strategjitë e zhvillimit të arsimit paraunivrsitar?
Arsimi parauniversitar është pika kyçe e arsimit në tërësi, sepse përfshin arsimin e detyrueshëm. Në fakt strategjitë ndryshojnë nga njëra-tjera dhe kanë ardhur duke u përmirësuar por këto ndryshime nuk kanë dërguar cilësinë e arsimit aty ku duhet. Cilësia nuk është rritur për vetë faktin se këto strategji janë më shumë një imitim i atyre perëndimore dhe jo strategji që i përshtaten ambientit shqiptar. Për çdo strategji të bërë ka pasur një studim paraprak të gjendjes tonë por janë studime të cekëta dhe jo të aplikuara. Strategjia e fundit përfshin edhe ndryshimin e kurrikulës por akoma edhe sot mbas disa vitesh nuk arrihet të aplikohet si duhet. Ja një shembull, një nga shtyllat kyçe të kësaj kurrikule është ajo e kompetencës digjitale, por edhe pse kishim vite që duhej të përdorej, në rastin e Covid 19 na zuri komplet të papërgatitur, ose sikur thotë populli: “Na ra një mort dhe u pamë”. Në rastin tonë integrimi i teknologjisë në mësimdhënie nuk është i lehtë, për shumë arsye ku të gjithë njëzëri thonë për mungesën e infrastrukturës, ku në fakt për mua problemi kryesorë është pranimi i modelit TAM (Technology Acceptance Model). Kur shumica ta pronojë që teknologjia duhet në mësimdhënie atëherë vazhdohet me investime në infrastrukturë, zhvillime profesionale të stafit, … etj.
Si e kanë pritur apo presin mësuesit ndryshimin e kurrikulës?
Kjo është një pyetje interesante. Nga një studim që kemi bërë del që 80% e mësuesve është pro kurrikulës së vjetër. Lind pyetja pse ndodh kjo dhe si duhet vepruar? Mësuesit edhe pse kanë kalur afër 7 vite nga ndryshimi i kurrikulës akoma nuk e kanë kuptuar sesi aplikohet kurrikula e re, fale mungesës së trajnimeve dhe zhvillimeve profesionale. Nuk mund të flitet për zbatimin e kurrikulùs së vjetër sepse ka ndryshuar niveli shoqëror i vendit. Rritja profesionale e stafit, investimi në infrastrukturë dhe politikat arsimore sa më afër realitetit tonë e bejnë të mundur zbatimin e kurrikulës së re.
Çfarë mendoni për trajnimet dhe rrjetet profesionale?
Bachelard thotë që: “Mësuesi është nxënës gjatë gjithë jetës”. Për të pasur një arsim të shëndoshë ka shumë faktor, por duke parë edhe fuqitë ekonomike të vendit i shoh parësore përditësimet e mësuesve. Ka një lumë agjensishë trajnuese, me module e tema të njëjta dhe të stërkonsumuara dhe pothuajse asgjë nga modulet lëndore. Pervec këtyre ajo që është më fatalja nuk kemi një monitorim të provimit final të një moduli trajnues. Të gjitha këto i bëjnë trajnimet e pavleshme dhe madje kanë ulur interesin e mësuesve për përditësim. Nevoja e trajnimeve lëndore është emergjente dhe si rregull këtë boshllëk duhet ta zëvendësojnë edhe rrjetet profesionale, por edhe pse janë në zhvillim e sipër akoma nuk funksionojnë tamam, duhet një mbikqyrje e rreptë e planeve dhe realizimeve të tyre.
Çfarë mendoni për kualifikimet e mësuesve?
Në fakt mësuesit ankohen shumë për vlerësimin, pikët në dosje, … etj. Hasim paradokse të tilla, pyetje të njëjta si për mësuesit e kualifikuar dhe për ata mjeshtër. Në qoftë se trajnimet dhe rrjetet profesionale bëhen si duhet atëherë kualifikimi i mësuesve mund të hiqet. Kualifikimi krijon një hëndek mes mësuesve, tipik i realitetit tonë. Kur mësuesit arrijnë kualifikim e fundit nuk motivohen më madje as nuk përditësohen. Shfrytëzimi i profesionalizimit të tyre është emergjent.
Shohim shpesh që mësuesit ankohen për tekstet. Përse ankohen?
Nga një studim i joni del që mbi 80% e mësuesve të anketuar demotivohen nga tekstet, problemi është rëndë. Teskti është një mjet didaktik si shumë mjete të tjera. Në vendin tonë duke qënë se vijmë nga një shkollë e fortë e tipit behaviorist, tekstit (kurrikula e vjetër) i jepet shumë rendësi. Po në të vërtetë çfarë tekstesh kemi? Ne kishim një përvojë të gjatë dhe autorë shumë të mirë të krijimit të tyre por sot hasim tekste shablone të përkthyera madje keq dhe të marra nga vendet e huaja. Duhen tekste për realitetin tonë.
Kush duhet t’i hartojë tekstet?
Kërkuesit e mirëfilltë shkencorë të fushës në bashkëpunim me mësuesit. Kurrikula e re kërkon altertekstin dhe jo tekstin unik ku e kërkojnë pothuajse të gjithë mësuesit sepse ata akoma edhe sot duan kurrikulën e vjetër. Si zgjidhet ky problem? Duke parë gjendjen e tanishme dhe ku akoma ka shumë rëndësi teksti mendoj për një zgjidhje miks, sikur rasti universitar, literuaturë e detyruar (tekst unik) dhe literaturë plotësuese (alterteksti). Literatura plotësuesë të përdoret sipas nevoja përkatëse.
Po rritja e pagës a motivon mësuesit tanë?
Në fakt paga e mësuesve është mbi mesataren. Një nga problemet në vëndin tonë është kultura e punës dhe dashuria për punën që bën dhe zgjedh. Për fat të keq ky problem është instaluar edhe tek mësuesit. Mësuesia është mision pastaj profesion. Pyetjes tuaj do t’i përgjigjem me një pyetje, shtimi i rrogës së mësuesve a na shton cilësinë e procesit të mësimdhënies/nxënies?.
Si e shihni bashkëpunimin e mësuesit fillestar me atë me përvojë?
Ndikimi i mentalitetit totalitar të shkollës së vjetër është shumë i madh. Rrymat konstrucioniste dhe mendimi kritik akoma janë në letër. Sot nuk mjafton më përvoja, mësuesi duhet të jetë tërë kohës në përditësim e sipër. Shoh një mësuesë fillestar me mangësi të aparatit shkencor, por superior në aspektin teknologjik dhe përditësuesë, ku tek mësuesi me përvojë ndodh e kundërta. Një nga shumë çështjet që duhet punuar fort është bashkëpunimi mes tyre dhe sidomos motivimi i mësuesit me përvojë.
Nuk ka vit që nuk kontestohen provimet e maturës, çfarë mendoni për këtë çështje?
Provimet e maturës kanë treguar çdo vit problematika.Ndeshim probleme në formulimin e testit, por edhe ndërhyjnë e flasin pa lidhje përsona jo profesionist të fushës. QSHA në vend që të pranojë dhe të ndëshkojë formuluesit, ulë tabanin tek vlerësimet. Që nxënësit të hanë me lugë bosh është e instaluar jo vetëm këtu. Mënyra sesi kryhen duhet të ndryshohet orë e parë. Nga ana didaktike i jepet vlerë një momenti, rastësie dhe nuk matë qëndrueshmëri. Hyrja në universitet duhet të bëhet me konkurs nga universitetet dhe mesatarja të jetë e shkallëzuar sipas degës që do, të ndiqet dhe provimi i maturës të jetë një notë, si lëndët e tjera.
Degët e mësuesisë në universitete të ndryshme po mbyllen, si mendoni se mund të zgjidhet ky problem?
Problemi është real dhe mjaft i ndërlikuar. Janë bërë përpjekje për të rritur cilësinë në hyrje për degët e mësuesisë duke rritur mesataren,por për mendimin tim ka rezultuar e kotë, sepse ato nota janë shumica fiktive dhe jepen për të kaluar pragun e hyrjes. Realisht dhe në mënyrë urgjente duhet menduar që të rrisim prestigjin e mësuesit dhe të kthehet si figurë e rëndësishme në shoqërinë tonë. Rritja e prestigjit të figurës se tij bën që për mësusesi të shkojnë edhe nxenës me nota të mira ku në të vërtetë tek ne nuk ndodh. Duhet bërë një studim real i tregut të punës, dhe mekanizma ndryshe të hyrjes në punë. Tani mbas pothuajse 7 vitesh (shkollë, stazh, liçense) konkuron në portal për vende pune që nuk ka. Politikëbërësit arsimor duhet ta mendojnë më seriozisht që të mos mbyllen degët e mësuesisë në universitete me përvojë si Elbasani, Shkodra e Gjirokastra e për shembull të mbijetojnë ato pa përvojë si Durrësi, Korça, … etj.
Sa e ka rritur cilësinë e procesit mësimor liçensa e mësuesit?
Mendoj që aspak. Pyetjet e liçenses janë të njëjta me ato të universitetit ku mësuesi është testuar për ato njohuri. Pyetjet janë shumë dhe të gjitha në versionin e mbyllur saqë mësuesi mëson mekanikisht ku të qarkojë. Urgjentisht pyetjet duhet të ndryshojnë të jenë më pak dhe të ndryshme nga njohuritë e bëra në universitet. Pyetjet duhet të jenë të formimit pedagogjik, didaktik dhe metodologjik në lidhje me lendët përkatëse.
Çfarë mendoni për cilësinë e studentave që dalin nga universiteti?
Shkolla jona ka një rënie drastike në të gjitha nivelet, sot gjejmë në punë, persona që nuk janë shkolluar si duhet në asnjë cikël shkolle. Nuk e shoh aq problem mungesën profesionale të mëseusve të sapo dilomuar, mësuesi duhet të përditesohet gjatë gjithë jetës. Problemi më i madh është që nga universiteti nuk marrin durimin dhe metodikat sesi duhet studiuar në të ardhmen, ku kjo për mua është misioni kryesor i shkollës së lartë. Nga studimet e kryera në univeristet merret 10-15% e dijes së gjithë jetës.
A ka një rakordim në programe mes universitetit dhe arsimit parauniversitar?
Shoh që ka pasur dhe ka përpjekje të tilla por jo si duhet. Duhet të jetë kërkimi shkencor në arsimin parauniversitar udhërrëfyesi i rakordimit të programeve. Në të vërtetë kërkimi shkencor në arsimin parauniversitar është pothuajse zero. Duhet punuar fort në këtë pikë me projekte të ndryshme dhe të stimulojmë që mësuesi të jetë edhe kërkues shkencor.
Në shoqërinë tonë postdiktatoriale shumë mendojnë që mjafton kartoni dhe jo dija që merr nga shkolla?
Në fakt ka mendime të tilla që i kanë burimet nga mënyrat korruptive dhe nepotike të hyrjes në punë. Student dhe nxënës të dobët ka kudo në botë, por janë pikërisht këto ide të gabuara që bëjnë dallimin. A është e lehtë të hiqen?
Aspak.
Çfarë mendoni për të ardhmen e arsimit parauniversitar?
Tematika e ndërhyrjes është mjaft e gjërë, por duhen strategji konkrete për vendin tonë dhe stop imitimeve të strategjive të huaja. Këto strategji kanë peshë zbatuese vetëm kur në terrën bëhën studime konkrete dhe nga specialistë të fushës. Pa diskutim që duhet të investohet në infrastrukturë dhe sidomos në zhvillimin profesional të stafit pedagogjik. Pedagogjisti i njohur italian Don Lorenzo Milani na la moton se: “Shkollë bëhët edhe në vëndet e varfëra”. Duhen plane afatgjata të bëra nga të gjitha forcat politike dhe jo vjen forca e rradhës dhe nis nga zeroja.
Profesor, ju faleminderit për këtë intevistë!
Ju faleminderit dhe juve! Punë të mbarë dhe suksese!
Intersvistoi gazetari i ALBUK TV, Martin Kiri!