PROFIL/ Kush ishte Margarita Xhepa, aktorja që u bë ikonë e kinemasë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Një nga ikonat shqiptare të filmit dhe teatrit, artistja Margarita Xhepa, është ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare ditën e sotme.

Aktorja u lind më 2 prill të vitit 1934, në qytetin e Lushnjës, prej ku nisi edhe hapat e parë drejt karrierës së saj. Gjatë karrierës së saj, aktorja e madhe Margarita Xhepa ka krijuar mbi 150 role në teatër.

Veç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Margarita Xhepa ka korrur sukses edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si, Ofelia tek “Hamleti”, vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, etj.

Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.

Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit.

Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.

Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjeçare. Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 31 rolesh.

Xhepës i janë akorduar gjithashtu edhe titujt “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”, dhe Urdhri i Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Share This Article