Prokuria e Tiranës njoftoi të hënën fillimin e tre hetimeve, atë të kallëzuar nga policia ndaj 7 të arrestuarve, dhunën e denoncuar nga protestuesit dhe procedimin mbi një kallëzim të Aleacës për Mbrojtjen e Teatrit ndaj inxhinierëve që konkluduan aktin mbi të cilin u bazuar vendimi për prishjen e teatrit.
Më herët prorkuroria kishte deklaruar se nuk kishin nisur hetimet dhe ende s’kishin mbërritur materiale nga policia, por në njoftim të dytë bëri me dije nisjen e hetimeve.
“Prokuroria pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, po kryen hetime për të arrestuarit në flagrancë nga Policia e Shtetit, në lidhje me protestën e datës 17.06.2020. Gjithashtu është regjistruar procedim penal duke u kryer hetime dhe për kallëzimin e bërë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në lidhje me ekspertizën e kryer nga inxhinierët apo persona të tjerë të përfshirë. Nga ana e prokurorisë po kryhen hetime edhe në lidhje me dhunën e pretenduar nga kallëzuesit, si të ushtruar nga punonjësit e policisë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga koordinatorja Lorena Salillari.
Aktivistët kanë denoncuar tre inxhinierë, Artur Hasantare, Olsi Nunaj dhe Elbarina Kola. Sipas aktivistëve, këta persona kanë kryer shembjen e teatrit pa një akt ekspertim fizik të godinës, por janë bazuar në akte ekspertimi të kryera nga kolegët e tyre dy vite më parë, të cilët nuk kishin dhënë atëherë një qëndrim përfundimtar.
Nga ana e saj policia e Tiranës njoftoi të hënën se të dielën u shoqëruan gjithsej 64 persona, për veprime arbitrare dhe kundërshtim me forcë të forcave të rendit në detyrë. Sipas policisë, janë arrestuar 7 protestues për veprat penale “kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”; janë proceduar në gjendje të lirë 21 persona për veprën penale “pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe 36 të tjerë janë penalizuar me masë administrative në zbatim të Aktit Normativ për marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Ndërkohë dhjetra aktivistë kanë denoncuar dhunën e ushtruar nga oficerë të policisë, që u filmuan duke përdorur shqelma dhe grushta ndaj protestuesve.