Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka njoftuar se ka filluar procedimin penal lidhur me dëmtimet që shkaktuan bllokimin total të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec.
Hetimi është regjistruar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës” dhe “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”, sipas neneve 248, 258, 155 dhe 201 të Kodit Penal.
Për këtë qëllim është krijuar një grup hetimor. Aktualisht, qarkullimi i të gjitha automjeteve, përfshirë autoambulancat dhe mjetet e zjarrfikëses, është i ndaluar. Lejohet vetëm kalimi në këmbë, që prej mëngjesit, pasi mbrëmë lëvizja ishte e ndaluar për shkak të rrezikut për qytetarët.


