Sot në Londër u zhvillua ceremonia festive e promovimit të romanit “Mëkati i Virgjireshës”, vepër e autorit të njohur Ardi Omeri. Ngjarja u mbajt në ambientet mikpritëse të Ilyrian Grill House, një nga lokalet më të njohura të komunitetit shqiptar në Londër, i cili drejtohet me shumë pasion e përkushtim nga biznesmeni Mentor Bokçiu. Një lokal ku në çdo cm të mureve të tij ka gjurmë nga traditat dhe identiteti shqiptar.
Në këtë mjedis të ngrohtë letrar dhe artistik, të pranishmit shkrimtarë, gazetarë, artistë dhe dashamirës të librit, patën mundësinë të njihen nga afër me universin e veprës së Omerit. Romani “Mëkati i Virgjireshës” u vlerësua gjerësisht si një krijim i fuqishëm artistik dhe realist, i mbushur me ndjeshmëri, thellësi psikologjike dhe tema të guximshme sociale që prekin lexuesin.
Promovimi u moderua me profesionalizëm dhe elegancë nga zonja Emiljana Krali, e cila e udhëhoqi mbrëmjen në mënyrë të shkëlqyer, duke e kthyer atë në një dialog të hapur mbi letërsinë, krijimtarinë dhe rolin e shkrimtarit në diasporë.
Në këtë aktivitet morën pjesë disa personalitete të njohura të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, ndër ta shkrimtarë, gazetarë dhe artistë që kanë kontribuar ndjeshëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë. Mes tyre u evidentuan emrat: Prof. Doc. Fatmir Tërziu, Anila Gremi, Djana Kocia, Emiljana Krali, Abedin Bajraktari, Tom Kokona, Sami Islami, Merita Isufi, Ermal Fegaj, Kujtim Vani si edhe të tjerë që e nderuan mbrëmjen me praninë e tyre.

Të ftuarit vlerësuan jo vetëm stilin e veçantë të autorit Ardi Omeri, por edhe guximin e tij për të trajtuar tema të ndërlikuara dhe ngjarje që pasqyrojnë realitete sociale e psikologjike, duke e pozicionuar romanin si një kontribut të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Mbrëmja përfundoi mes diskutimesh të gjalla letrare, fotografish, urimesh dhe dëshirës së përbashkët për të vijuar me aktivitete të tilla që e forcojnë identitetin kulturor të shqiptarëve në diasporë.





