Propozimi i Konjufcës për President, analistja: Nuk mund të zgjidhet pa përkrahjen e opozitës, ja kur vendi shkon në zgjedhje të parakohshme

albnews
By
8 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Analistja Alma Lama, ka sqaruar se Kuvendi i Kosovës ka në dispozicion dy muaj për të zgjedhur Presidentin.

Sipas saj, në rast se seanca fillon dhe pas tre raundeve votimi nuk arrihet zgjedhja e presidentit, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme.

Lama thekson se kryeministri Albin Kurti nuk ka treguar vullnet politik për bashkëpunim me opozitën dhe, sipas saj, po manovron me procedurat për të gjetur momentin më të përshtatshëm për zgjedhje të reja, për shkak se nuk i ka votat për të zgjedhur Presidentin.

Sa i përket kandidatëve potencialë, Lama përmend se vetëm një emër nga familja Adem Jashari ka pasur mbështetje të gjerë publike, por familja ka refuzuar të përfshihet në politikë.

Presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur ambicien për rizgjedhje, por sipas Lamës nuk ka mbështetjen e mjaftueshme as nga Lëvizja Vetëvendosje dhe as nga opozita.

Sa i përket emrit të Glauk Konjufca, i cili është propozuar sot nga Vetëvendosja, analistja thekson se është e vështirë që ai të zgjidhet pa votat e opozitës.

INTERVISTA E PLOTË:

Seanca e parë praktikisht ka dështuar ose nuk është mbajtur, përderisa nuk ka ende dy kandidatë. Çfarë ndodh nëse deri nesër, më 5 mars, që janë 30 ditë përpara se të skadojë mandati i presidentes Osmani, nuk zgjidhet presidenti i ri i Kosovës? A shkohet vërtet në zgjedhje të parakohshme apo jo?

Alma Lama: Kuvendi i Kosovës i ka dy muaj në dispozicion për të zgjedhur presidentin e Kosovës nëse ai nuk zgjidhet brenda afatit, pra nëse nuk fillon seanca. Në rast se seanca do të kishte filluar dhe përfundonte pa u zgjedhur presidenti pas tri votimeve, atëherë shkohet automatikisht në zgjedhje. Prandaj, Kuvendi mund të provojë për dy muaj rresht ta mbajë seancën për ta zgjedhur atë. Duket se zoti Kurti nuk pati vullnet politik për të bashkëpunuar me partitë opozitare dhe tani do të futet sërish në lojën e procedurave të rregullores dhe të Kushtetutës për ta mbajtur situatën në favor të tij. Këtë po e bën në mënyrë që të gjejë momentin më të përshtatshëm për zgjedhje të reja, pasi nuk i ka votat për ta zgjedhur presidentin.

Cilët janë për publikun tonë emrat, kandidatët potencialë që janë përmendur gjatë kësaj kohe dhe që do të ishin të mundshëm për t’u zgjedhur si presidentë të Kosovës?

Alma Lama: Realisht, vetëm emri i zotit Jashari, pra nga familja Jashari, duket se pati një përkrahje të gjerë popullore dhe do të ishte i vetmi kandidat që qëndron mbi palët, por sigurisht që ajo familje refuzoi dhe nuk pranoi të bëhej pjesë e lojës politike. Ndërsa për sa u përket emrave të tjerë, nuk kanë qarkulluar zyrtarisht, por vetëm jozyrtarisht. Zonja Osmani, pra presidentja aktuale, shprehu ambicien e saj, por nuk e ka pasur përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as të partive opozitare për t’u rizgjedhur. Një gjë e tillë vlen edhe për zotin Glauk Konjufca, i cili e di shumë mirë që nuk mund të zgjidhet pa përkrahjen e opozitës. Sigurisht që emri i tij doli sot për të vënë opozitën me shpatulla pas murit, domethënë për t’i thirrur në Kuvend dhe në fund për t’ua hedhur atyre fajin pse nuk u zgjodh presidenti. Mendoj që është një lojë politike ku zoti Kurti do të kërkojë pak kohë në mënyrë që sërish të artikulojë para publikut fajësinë, pra se kush e ka fajin, duke ia hedhur atë opozitës. Edhe në komunikatën e sotme që nxori Lëvizja Vetëvendosje, qëllimi ishte t’i hidhej faji opozitës, ndërkohë që në asnjë moment nuk kanë pranuar bashkëpunimin për ndonjë kandidat të opozitës. Ata nuk kanë dalë me emra publikisht sepse nuk ka pasur marrëveshje për të pranuar ndonjë kandidat të tillë. Nga ana tjetër, opozita ka dështuar të dalë me emrin e një kandidati të vetëm që do t’i shkonte zotit Kurti për të kërkuar mbështetjen për votimin e presidentit.

Javët e fundit u bë e qartë se zonja Osmani pati një mbështetje ndërkombëtare në nivele të larta, deri në Uashington. Në këta dy muaj që i mbetën në dispozicion Parlamentit, është e mundur që ajo të rikthehet në krye të listës së kandidatëve apo jo?

Alma Lama: Nuk e di se cili do të jetë veprimi i saj politik. Tani ka dalë një lajm që ajo do të krijojë një listë tjetër, sepse listën që ka pasur nuk e përkrahin më, një listë tjetër me emra deputetësh. Lista është e vetmja mundësi për të hyrë në zgjedhje, sepse krijimi i partive politike merr më shumë kohë dhe kërkon procedura në KQZ, ndërsa një listë me personalitete mund të bëhet shumë shpejt dhe mund të marrë pjesë në zgjedhje. Sigurisht që ajo pati përkrahje dhe një performancë të dukshme në arenën ndërkombëtare, gjë që duket se ka krijuar rivalitet. Zoti Kurti ishte tërësisht i izoluar në arenën ndërkombëtare. Ai nuk ftohej askund, përveçse në disa konferenca të partive të majta në Greqi apo në ndonjë vend tjetër, dhe kjo mund të ketë qenë një problem për të, ashtu si dhe politika e jashtme në përgjithësi, të cilën ai kërkon ta ketë në duart e tij.

Cilat forca politike do të kishin më shumë interes që Kosova të shkonte në zgjedhje parlamentare dhe përse?

Alma Lama: Unë mendoj që partitë në opozitë janë goxha të dobëta dhe nuk duket se kanë shumë interes për të shkuar në zgjedhje. Po të kishin interes, nuk do të shkonin fare në takim me Kurtin për të gjetur kompromisin për presidentin. Megjithatë, mendoj se ata nuk kanë më çfarë të humbin. Në fakt, mendoj që më i rrezikuar në zgjedhje të tjera mund të jetë vetë zoti Kurti, në radhë të parë sepse prishet bashkëpunimi me zonjën Osmani dhe ai mund të marrë më pak vota. Nga ana tjetër, partitë e opozitës mund të gjejnë një kauzë në këto zgjedhje, luftën ndaj pushtetit absolut të Kurtit. Ai kërkon presidentin, ka kryetarin e Parlamentit, ka kryeministrin dhe shumë shpejt do të ketë edhe anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, duke e futur tërësisht rendin kushtetues në duart e tij. Pastaj do ta ketë më të lehtë të bëjë ndryshimet që kërkon dhe që i ka shpallur, siç është “Republika e Tretë”.

Share This Article