“Do të jetë dita e kthesës së madhe. Do të jetë radha jonë.” Protesta e 7 tetorit për Sali Berishën cilësohet si një ditë ku qytetarët do të duhet të marrin në dorë fatet e tyre dhe politikanët të jenë në plan të dytë. Gjatë një konference për mediat, teksa kërkoi që mbështetësit e PD nga e gjithë Shqipëria të bashkohen në tubimin e Tiranës, Berisha pohoi se revolta e opozitës nuk do të ndalet në 7 tetor por do të vijojë deri në arritjen e qëllimit për qeveri teknike, transmeton A2.
“Qëllimet tona janë qëllimet më demokratike në kuptimin që kërkojmë të hapim rrugën për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, të cilin Edi Rama e ka shndërruar në një farsë të vërtetë. Kërkojmë që Shqipëria të mos jetë më një narkoshtet, por një shtet ligjor, në të cilin ligjet, Kushtetuta dhe të drejtat e opozitës respektohen”, u shpreh Berisha.
Theksoi disa herë që kjo protestë do të jetë e qytetarëve, ndaj pati një thirrje për policinë që të mos provokojë askënd.
“Mjerë ai që provokon qytetarët dhe zemërimin e tyre. Ky është mesazhi im për çdo provokator, narkokomisar, narkopolic apo narkozyrtar”, theksoi kreu demokrat.
Berisha edhe në këtë tubim të thirrur nga ai vetë nuk do të jetë i pranishëm fizikisht për shkak të arrestit shtëpiak.
“Unë do të jem i pranishëm edhe njëherë në krah të çdo protestuesi…”, vijoi ai.
Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e opozitës në 7 tetor.