Mbrëmjen e kësaj të mërkurë kanë nisur të merren masat e para lidhur me protestën e opozitës që pritet të zhvillohet nesër para Parlamentit. Siç shihet edhe nga pamjet ka nisur të vendoset gardh metalik si edhe zhvendosen makinat e parkuar për rreth zonës.
Gjithashtu sot Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave lidhur me protestën. Policia ka njoftuar se lëvizja do të jetë e kufizuar nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit në rrugën “George W. Bush”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apeloi që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.


