Në Shkup është protestuar me moton “Drejtësi për Liri” kundër vendimit të Gjykatës Penale për rastin “Monstra”. Protestuesit janë penguar nga kordoni i forcave policore të shkojnë para qeverisë, për të paraqitur kërkesat e tyre ndaj autoriteteve zyrtare, dhe për pasojë një pjesë e protestuesve ka hedhur gjësende të forta drejt pjesëtarëve të forcave të sigurisë.
Kryetari i Këshillit Organizativ të protestave Bedri Hajdari, ka thënë se policia mund të bllokojë rrugën, por jo edhe realizimin e drejtësisë, andaj ka kërkuar nga protestuesit të tregohen me gjakftohtësi.
“Kjo nuk është protestë ilegale. Këtu nuk ka njerëz kriminel, njerëz provokues, por njerëz që duan drejtësi”, ka deklaruar ai para protestuesve.
Ai ka thënë se nuk do të ndalen protestat, për të cilat në opinion ekzistojnë dyshime se janë të montuara siç është rasti “Monstra”, që ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës, në afërsi të Shkupit.
Ai ka kërkuar nga autoritetet qeveritare “ndërprerjen e pazareve politike në kurriz të shqiptarëve të pafajshëm, të publikohen të gjitha bisedat e përgjuara në lidhje me këtë rast dhe të përfshihet faktori ndërkombëtar gjatë procesit gjyqësor”.
Ai ka kërkuar edhe thirrjen e ekspertëve ndërkombëtarë që të bëjnë hetime në mënyrë të pavarur “të tipit të EULEX-it në Kosovë, që të merren me të gjitha rastet e montuara politike nga të cilat shqiptarët vuajnë burgje të rënda edhe pse janë të pafajshëm”.
Pavarësisht se ka bërë thirrje që protestuesit të shpërndahen, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi ata kanë vazhduar të qëndrojnë në afërsi të udhëkryqit pranë kompleksit të gjykatave ku është vendosur kordoni i policisë.
Të martën Gjykata Penale e Shkupit, ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq, të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve më 12 prill 2012 pranë Liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi. Viktima ishin katër të rinj të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një tjetër i moshës 44-vjeçare. Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim. Një person tjetër, Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave.
Ndaj vendimit të gjykatës penale për rastin Mostra kanë reaguar partitë politike shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me ç’rast kanë kërkuar përfshirjen e faktorit ndërkombëtar./REL/