Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri ka reaguar nga burgu në lidhje me protestën e zhvilluar për lirimin e tij.
Në deklaratën e tij, Beleri e konsideron qeverisjen e kryeministrit Edi Rama si regjim, teksa akuzat ndaj tij i quan të “qesharake” dhe të “padrejta”. Sipas Belerit, qeveria po mundohet të vjedhë pronat në Himarë, teksa pretendon se kjo është edhe arsyeja se pse ai ndodhet në burg.
“Kanë kaluar 3 muaj nga dita që populli i Himarës i tha jo regjimit. Kanë kaluar 92 ditë që gjendem në paraburgim. Regjimi, diktatura e kamufluar kishte si synim të frikësojë, ju më 14 maj nuk u frikësuat, kështu që nuk kam të drejtë të frikësohem dhe unë. Shpirti i himarjotit nuk burgoset. Drejtësia fiton gjithmonë. Më 14 maj bëmë një betejë për të mbrojtur të drejtat e të gjitha të drejtave të qytetarëve himarjotë. Akuza e pabazë, qesharake, burgosja ime dhe ndalimi im për ushtrimin e detyrës së kryebashkiakut që ju më caktuat është e padenjë. Por ne fituam, jo vetëm zgjedhjet por respektin e të gjithë qytetarëve demokratë në Shqipëri. Ata që mbajnë sot në mënyrë të paligjshme bashkinë, vjedhin pronat tuaja, shpërdorojnë taksat tuaja pa dallim në të gjitha fshatrat e Himarës. E shikoni si mbijnë dita ditës ndërtimet pa leje në Himarë dhe kjo është arsyeja e vetme që unë gjendem në paraburgim”, ka thënë Beleri.
Mbështetësit e Belerit kërkojnë lirimin e tij nga burgu, ndërsa kjo e hënë (14 gusht) shënon edhe afatin e fundit të tij për t’u betuar si kryebashkiak. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë më herët ka thënë se afati për t’u betuar është tre muaj, ndërsa shtonte se për aq kohë sa nuk ka vendim të formës së prerë, Beleri mund ta marrë mandatin e kryebashkiakut. Megjithatë mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë në rastin e Belerit.
Ai u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë lekë për vota.