“Manipulim për qëllime politike dhe biznes mediatik!”. Kështu e ka cilësuar ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ngjarjen e rëndë në Tiranë, ku dy ditë më parë efektivi i policisë, Azbi Spahiu, u hodh nga lartësia.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Hoxha lëshon akuza në drejtim të partive të reja, por dhe mediave për rastin që në fakt aludohet se ka qenë një shtyrje drejt vetëvrasjes të policit, i cili po merr mjekim në spital.
Reagimi i Ministrit të Brendshëm vjen pasi në rrjetet sociale është njoftuar një protestë nga Lëvizja Bashkë për rastin e policit Azbi Spahiu.
Opozita zyrtare e PD dhe aleatëve të saj ka heshtur për rastin, si shumica e mediave, për shkak se polici është i njëjti që kishte ndaluar djalin e biznesmenit të fuqishëm Samir Mane.
Ai i është drejtuar mediave dhe partive politike që kanë organizuar protestën me frazën provokuese: “Kur të doni dhe ku të doni.” Kjo shprehje, e perceptuar nga shumë si një formë sfide apo kërcënimi ndaj kundërshtarit.
Deklarata e plotë e Ervin Hoxhës
Është bërë tanimë një zakon shumë i ulët, që të deformohen dhe manipulohen ngjarje të caktuara dhe të goditet Policia e Shtetit, për qëllime tërësisht politike apo biznes mediatik.
Rasti i ngjarjes së Pogradecit, ku u fry një dallgë e madhe dizinformimi me një bandë inekzistente gjobëvënësish, apo rasti i vrasjes së 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij, ku u sajuan thika e autorë të tjerë të paqenë, ishin dy raste emblematike të rritjes së nivelit të paturpësisë politike dhe mediatike.
Tani ka dalë një tjetër rast, me të cilin po riluhet loja e “të vegjëlve”, që bëjnë thirrje për protestë (kështu i është vënë emri ca partizave, që të reja mund të kenë shumë gjëra, po nuk kanë as mendësinë dhe as metodat).
Protesta sa të duan, kur të duan, po nuk rezulton që të ketë ndonjë punonjës policie, që ka tentuar të vrasë veten nga ndonjë presion për të mos zbatuar ligjin ndaj dikujt. Rasti në fjalë është i qartë e i dokumentuar dhe e gjitha është një furtunë në gotë.
Por, meqë jo çdo e keqe vjen për keq, njerëzit mbase e kuptojnë edhe më mirë me këtë rast, që këto lëvizjet me emra të mëdhenj të këtyre “të vegjëlve” janë tamam si ajo loja “fluturon, fluturon” dhe kush ta hajë, ta hajë…
Këtyre organizatorëve, që kanë nxjerrë këto tabelat në rrjete sociale, u sugjeroj ta zëvendësojnë sloganin dhe ta bëjnë “Gënjeshtra, shpresa jonë për deputetë” dhe “Marshojmë, Gënjejmë”. Plus, duke saktësuar respektivisht subjektet e tyre politike “Gënjejmë Bashkë” dhe “Gënjeshtra Bëhet”.