Është tensionuar situata përpara Teatrit Kombëtar në kryeqytet, ku protestuesit kanë kërkuar të hyjnë brenda në godinë.
Regjisori Robert Budina, njëkohësisht aktivist për mbrojtjen e teatrit, ka hedhur dyshime se personat që po hyjnë brenda godinës të mbështetur nga policia, mund të shkaktojnë incidente dhe zjarrvënie të qëllimshme.
“Çfarë janë këta persona që hyjnë brenda? Ata nuk janë punonjës të teatrit. Mos duan t’i vënë godinës zjarrin, siç ndodhi me atë mbrapa bashkisë?”, u shpreh Budina përpara kamerave.
Kurse Neritan Liçaj është një prej aktorëve më aktiv në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe kjo u pa edhe sot kur forcat e shumta të policisë kanë rrethuan godinën. Siç shihet në videon që po qarkullon në rrjetet sociale, pasi ka shkëmbyer fjalë me efektivët, Liçaj ka shpërthyer në lot.
“Nuk do të lejoj që fëmijët e mi të rriten në diktaturë”, është shprehur aktori gjatë protestës.
Godina e teatrit është rrethuar nga policët me qëllim që disa punonjës të nxjerrin prej aty orenditë.
Qeveria kërkon shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një objekti të ri, por kjo kundërshtohet nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që thekson se godina aktuale është pjesë e trashëgimisë kulturore.