Qindra studentë dolën në rrugë në Torino për të kundërshtuar politikën shkollore të qeverisë dhe për të mbështetur Palestinën. 15 oficerë policie përfunduan në urgjencë, pasi një bombë shpërtheu në mesin e policisë në Piazza Castello.
Më pas demonstruesit dogjën një kukull me shëmbëlltyrën e ministrit Giuseppe Valditara dhe disa prej tyre dëmtuan dy restorante të ushqimit të shpejtë.
Gjatë tensioneve në Piazza Castello kundër policisë, përveç vezëve, janë hedhur edhe fishekzjarre të mëdha. Protesta e studentëve përfundoi më pas pa tensione të mëtejshme përpara Palazzo Nuovo, shtëpia e fakulteteve të shkencave humane të universitetit të Torinos. Muzeu i Kinemasë, në Mole Antonelliana, u rihap për publikun, pasi ishte mbyllur kur studentët hynë. Gjatë protestës është dëmtuar një flamur italian dhe është ngritur flamuri palestinez.
“Edhe sot kemi qenë dëshmitarë të skenave të papranueshme të dhunës dhe kaosit në disa sheshe, nga duart e ngatërrestarëve të zakonshëm. Disa oficerë të rendit përfunduan në urgjencë për shkak të bombave dhe përplasjeve. Solidariteti im i plotë shkon për të gjithë oficerët e plagosur, dhe uroj për një shërim të shpejtë”, ka shkruar në rrjetet sociale kryeministrja Giorgia Meloni.
“Shpresoj që disa politika të ndalojnë mbrojtjen apo justifikimin e kësaj dhune dhe të bashkohen, pa dykuptimësi, në dënimin e episodeve të tilla të rënda dhe të padenja”.
Për dhunë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, i cili këkroi dënim për këtë ngjarje.
“Edhe një herë sot në Torino, gjatë një marshimi, dëshmuam episode të patolerueshme dhune, me demonstruesit të cilët, duke shkelur udhëzimet e komisariatit dhe duke ndryshuar rrugën e tyre, tentuan të arrinin në hyrje të prefekturës. Këtë herë nuk kishte asnjë pretekst për të kundërshtuar iniciativa apo subjekte të tjera në vazhdim, por ishin godinat institucionale që u vunë në shënjestër dhe u sulmuan operatorët e policisë të vendosur në mbrojtje të tyre. Besoj se dënimi i fortë për atë që ndodhi mund të jetë unanim. Oficerëve të plagosur iu shpreh afërsinë time dhe vlerësimin tim për profesionalizmin dhe ekuilibrin e tyre së bashku me urimet e mia më të mira për një shërim të shpejtë.” (A2 Televizion)