Rritja e numrit të vizitorëve, çmimeve të banesave dhe turistëve që kërkojnë selfie kanë çuar në krijimin e situatave “krejtësisht jashtë ekuilibrit”, thotë një zyrtar i UNESCO-s, për The Guardian. Sipas tij, një dështim për të adresuar këto çështje mund të shkaktojë që vala spanjolle e protestave kundër turizmit masiv të shtrihet në të gjithë Evropën.
Javët e fundit dhjetëra mijëra protestues kanë dalë në rrugë në destinacionet më të njohura të Spanjës, duke bërë thirrje për frenimin e turizmit masiv dhe një rishikim të një modeli biznesi që ata thonë se ka rritur çmimet e banesave dhe ka dëbuar banorët vendas nga qytetet.
Nga Málaga në Mallorca, nga Gran Canaria në Granada, organizatorët kanë theksuar se protestat nuk janë kundër turizmit, në vetvete, por më tepër një thirrje për një qasje më të ekuilibruar. Është një kërkesë që ka vënë në mendime edhe Peter DeBrine, një zyrtar i lartë i projektit të UNESCO-s për turizmin e qëndrueshëm. “Ajo që ne po shohim është se po shkelim një prag tolerance në këto destinacione. Me të vërtetë duhet të përpiqemi të ribalancojmë situatën. Tani ajo është krejtësisht jashtë ekuilibrit” – thotë ai.
Ai vuri në dukje një mori faktorësh për të shpjeguar pse shumë në Spanjë, prej kohësh një nga destinacionet turistike më të njohura në botë, po udhëheqin tashmë reagimin kundër kësaj industrie. Kryesore ishte kriza e strehimit, thotë ai, duke e përshkruar atë si “kashta që theu kurrizin e devesë”.
Turizmi përkeqësoi shqetësimet ekzistuese për përballueshmërinë e banesave, pasi përhapja e akomodimit afatshkurtër i shtrydh banorët vendas. “Unë mendoj se kjo shtoi më shumë ankthin dhe zhgënjim për njerëzit që jetojnë në këto destinacione” – thotë DeBrine, citin lapsi.al.
Punëtorët në vende të tilla si Ibiza e kanë gjetur veten me pak zgjedhje, përveçse të jetojnë në furgonë, karvanë dhe tenda. Në Málaga protestuesit kanë vënë parulla në shtëpitë që jepen me qera për turistët duke shkruar: “Një familje jetonte këtu” ose “Shkoni në shtëpi”.
Teksa Spanja kalon nga një vit rekord në tjetrin, rritja e numrit të vizitorëve ishte një tjetër faktor që kontribuoi tek protestat sipas DeBrine. “Unë mendoj se në destinacione të caktuara, ndikon edhe mënyra se si sillen turistët. Ju e dini, ndodh që turistët që nuk i respektojnë ato destinacione ku udhëtojnë” – thotë ai.
Destinacionet turistike në të gjithë Spanjën kanë kërkuar prej kohësh të refuzohet hyrja e atyre vizitorëve që kanë sjellje antisociale duke futur kodet e veshjes apo ndalimin e shitjes së alkoolit. UNESCO i promovon prej kohësh udhëtimet për të nxitur një vlerësim të trashëgimisë kulturore në të gjithë globin. Por në një kohë të mediave sociale, ky qëllim idealist është bërë edhe më i vështirë, thotë DeBrine.
“Ne kemi evoluar në atë që unë e quaj një turizëm të motivuar nga selfiet. Ata thjesht duan të bëjnë një foto të diçkaje pa e kuptuar në të vërtetë se çfarë është dhe çfarë do të thotë për të kaluarën dhe të ardhmen tonë” – thotë ai.
Zhgënjimi me turmat në rritje të atyre që kërkojnë selfie u shfaq në Mallorca në qershor. Qindra njerëz organizuan një protestë në një liman piktoresk për t’u ankuar për mbipopullimin dhe degradimin mjedisor të shkaktuar nga shumë instagramerë dhe influencues që dynden aty për të kapur foton perfekte.
Disa javë më vonë, protestat në Spanjë morën një kthesë të hidhur pasi një grusht protestuesish që mbanin pistoleta uji nisën të lagnin turistët. Të tjerë mbanin tabela që lexonin “Turistët të shkojnë në shtëpi” dhe “Ju nuk jeni të mirëpritur”.
DeBrine i përshkroi veprimet si “ekstreme dhe jo të nevojshme”, por i pa ato si të lindura nga zhgënjimi: “Ata ndoshta nuk do të largohen derisa të ketë një lloj reagimi.” Ajo që nevojitej ishte një ndryshim paradigme, tha ai, ku vendimmarrësit filluan të pyesin se si gjërat mund të përmirësohen për banorët. “Është pak klishe, por unë gjithmonë them se vendet më të mira për të jetuar janë vende më të mira për t’u vizituar.”
Ai sjell shembullin e Danimarkës që inkurajon një sjellje miqësore ndaj klimës, të qëndrueshme dhe vendosjen e tarifës në hyrje të Venecias. Në Barcelonë, kryebashkiaku u zotua së fundmi të frenojë dhënien me qira të apartamenteve për turistët deri në vitin 2028, ndërsa Mallorca dhe Dubrovniku kanë ndërmarrë veprime për të kufizuar mbërritjet e anijeve turistike.
Jo të gjitha këto zgjidhje do të funksionojnë domosdoshmërisht, thotë DeBrine, duke treguar si shembull përpjekjet e mëparshme për të shpërndarë turistët brenda destinacioneve të mbipopulluara. Strategjia çoi në pasoja të padëshiruara pasi disa banorë vendas filluan të ankoheshin për zhurmën ndërsa të tjerë e panë veten të larguar nga zonat pasi banesat po shndërroheshin gjithnjë e më shumë në apartamente me qira afatshkurtra. “Autoritetet lokale refuzojnë të pranojnë këto çështje, duke rrezikuar përhapjen e protestave kundër turizmit përtej Spanjës”, – e mbyll DeBrine. ©The Guardian