Aktivistë dhe përfaqësues nga shoqëria civile protestuan mbrëmjen e dheshme përpara Kuvendit kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”.
Protesta ka nisur mëngjesin e djeshëm pak përpara nisjes të seancës plenare në Kuvend, ku në rend dite sot janë edhe diskutimet mbi këtë projektligj.
Qytetarë dhe aktivistë të thirrur nga “Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës” u mblodhën përpara Kuvendit për ta kundërshtuar këtë projektligj, duke u bërë thirrje deputetëve që mos ta votojnë.
Me pankarta në duar dhe thirrje pro familjes dhe gjinive binare burrë-grua, pastori Akil Pano u shpreh se ky projektligj është një trup i huaj.
Protestës iu ashkuan gjatë ditës edhe kryetari i PD, Sali Berisha dhe disa deputetë të opozitës si Klevis Balliu, Tedi Blushi, Belind Këlliçi, Tritan Shehu etj.
Projektligji “Për barazinë gjinore”, një nismë e qeverisë, synon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e barabartë të grave dhe burrave.
Prej disa kohësh, diskutimet për terminologjinë dhe ndikimin e tij në familjen tradicionale kanë qenë në qendër të debateve publike dhe në komisionet përkatëse ku projektligji është diskutuar.
Sipas mazhorancës, nisma nuk krijon “gjini të reja” dhe nuk cenon familjen tradicionale, por synon vetëm mbrojtjen nga diskriminimi dhe forcimin e barazisë mes burrave dhe grave.
Qëllimi i këtij projektligji sipas mazhorancës është forcimi i demokracisë përmes barazisë gjinore, si pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Evropian duke përmirësuar kuadrin ligjor të vitit 2008 për barazinë gjinore.
Ndërsa, opozita e kundërshton projektligjin “Për barazinë gjinore”, duke pretenduar se ky ligj “minon” vlerat e familjes dhe shoqërisë shqiptare.
Opozita ka kërkuar që ky projektligj të kalojë me referendum, pra me votën e qytetarëve.




