Gazetarja ruse, Marina Ovsyannikova, e cila në një transmetim të drejtpërdrejtë, u shfaq me një poster kundër luftës është gjobitur me 30,000 rubla (215 £) nga një gjykatë ruse.
Gjykata e shpalli gazetaren Marina Ovsyannikova fajtore për shkelje të legjislacionit të protestave, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA.
“Kam kaluar dy ditë pa gjumë”, tha Marina Ovsyannikova, në një video të regjistruar jashtë sallës së gjyqit të martën nga Mediazona.
Më tej Ovsyannikova tha: “Ishte vendimi im kundër luftës. Këtë vendim e mora vetë, sepse nuk më pëlqen që Rusia të fillojë këtë pushtim. Ishte vërtet e tmerrshme. Dua të falënderoj të gjithë për mbështetjen, miqtë dhe kolegët. Kanë qenë disa ditë shumë të vështira në jetën time. Jam marrë në pyetje për më shumë se 14 orë.”
“Nuk më lejuan të kontaktoja me të afërmit e mi apo njerëzit e afërt me mua,” tha zonja Ovsyannikova, duke shtuar se asaj nuk i lejohej “qasja në asnjë përfaqësim ligjor, kështu që ishte në një pozitë mjaft të vështirë”.
Ovsyannikova, e cila punonte për Channel 1 në Moskë, u arrestua të hënën pasi u shfaq në ekran gjatë një emisioni të njohur lajmesh, me një pankartë ku shkruhej, “Ndalo luftën!”, “Ata po ju gënjejnë “.