Pjesëtarët e komunitetit serb nga veriu i Kosovës, më 12 prill, protestuan dhe kërkuan tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ai rajon, pas plagosjes së një bashkëqytetari të tyre.
Protesta është mbajtur në Zveçan, në rrugën kryesore, e cila nga banorët lokalë njihet me emrin “te ura e Bistricës”.
Në atë vend është vendosur një njësi speciale e Policisë së Kosovës dhe më 10 prill, aty ka ndodhur një incident, ku ka mbetur i plagosur personi me iniciale M.J.
Në protestë, serbët lokalë kanë iniciuar edhe një peticion për tërheqjen e forcave speciale të Kosovës.
Të tubuarit mbanin parullat “Evropa po shtien mbi ne”, “Nuk e keni vendin këtu”, “Stefan, Millosh, Milan, Millan, kush është në radhë?”.
Të pranishëm në protestë ishin edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që vepron me mbështetjen e Beogradit, më herët ka kërkuar gjithashtu tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, që është edhe një nga kushtet e tyre për t’u kthyer në institucionet e Kosovës.
Parakalime protestuese të serbëve lokalë, janë paralajmëruar edhe për ditët në vijim.
Policia e Kosovës, e cila fillimisht mohoi përfshirjen në incident, suspendoi katër policë që dyshohet se ishin të përfshirë në të shtënat.
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar hetim urgjent të rastit, ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se hetimet e para kanë treguar se shoferi nuk është ndalur në sinjalin e policit, i cili më pas ka shtënë.
Për këtë arsye, pas ndërhyrjes së Inspektoratit Policor dhe prokurorit, katër zyrtarë të policisë janë arrestuar, si dhe u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Kosova vendosi forca shtesë në veri, pasi braktisjes së institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve të atjeshëm. Forcat shtesë kryesisht përbëhen nga policë të komunitetit shqiptar, të cilët nuk pranohen nga popullata lokale./REL