Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, grupe të organizuara, por edhe qytetarë të tjerë u janë drejtuar pikave kufitare të Shqipërisë, për t’iu bashkuar protestës së pasdites së sotme.
Ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranë të luftës dhe qytetarë nga trojet mbarëshqiptare parakaluan në mënyrë simbolike për të kaluar kufirin në Morinë drejt Tiranës, ku do të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej”.
Drejt Tiranës kanë udhëtuar edhe ish-luftëtarë e veteranë të UÇK-së, të ardhur nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
“Nuk duhen lënë krerët e UÇK-së që të vuajnë nëpër burgjet e Evropës kur ata na sollën lirinë.“
“Kjo do të thotë një gjë të madhe shumë. Dashtë Zoti të jetë e suksesshme dhe të na lirohen krejt anëtarët e UÇK-së.“
“Sot është një protestë për padrejtësitë që po bëhen.“
“Ne i themi Shqipërisë: Faleminderit Shqipëri që na mundësove një protestë të tillë për ata çlirimtarë, për ata atdhetarë, të cilët padrejtësisht po na i mbajnë në Specialen kriminale, e cila nuk ka asnjë aneks, asnjë rezolutë për ta.“
Në mbështetje të kësaj proteste, u hoq për 24 orë tarifa në Rrugën e Kombit, ndërsa Policia Rrugore shtoi prezencën përgjatë akseve për të garantuar qarkullim normal dhe për të shmangur bllokimet e mundshme të trafikut.