Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit dhe e mori statujën nën mbrojtje
Statuja e ish-presidentit amerikan Andrew Jackson brenda Parkut Lafayette përpara Shtëpisë së Bardhë, ishte në shënjestër të një grup demonstruesish, raporton Anadolu Agency (AA).
Thyerja e statujave në vende të ndryshme që nisi si reagim kundër racizmit pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd si pasojë e dhunës policore, arriti edhe në Shtëpinë e Bardhë.
Qindra demonstrues lidhën me litarë statujën e presidentit të 7-të të SHBA-së, Jackson, e konsideruar si simbol i Parkut Lafayette, duke u përpjekur ta rrëzojnë atë.
Ndërkohë, gjersa protestuesit me parulla kundër Jackson vazhduan përpjekjet e tyre për prishjen e statujës, policia e parkut dhe policia e Shërbimit Sekret ndërhynë me shpejtësi.
Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit dhe e mori statujën nën mbrojtje.
Jackson njihet si arkitekti i Aktit të Largimit të Indianëve, që u bë shkak për vdekjen e shumë vendasve, si dhe president që zotëronte shumë skllevër.
Reagon Trump
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar në Twitter për incidentin.
“Shumë njerëz u arrestuan për vandalizmin e turpshëm ndaj statujës së mrekullueshme të Andrew Jackson në Parkun Lafayette”, shkroi Trump.
Ai tha se persont në fjalë mund të dënohen deri në dhjetë vite burgim sipas një ligji për ruajtjen e përmendoreve.
Ndryshe, tashmë disa javë në shtete të ndryshme të SHBA-së janë rrënuar ose shkatërruar shumë statuja të drejtuesve ose komandantëve të periudhës së konfederatës të cilët kanë qenë përkrahës të skllavërisë.