Presidenti amerikan Joe Biden ka reaguar për protestat në Kubë duke ndërmarrë sanksione për shefin e ushtrisë dhe shërbimin e inteligjencës që përçanë dhe thyen protestën e qytetarëve kundër komunizmit.
“Unë i dënoj pa asnjë mëdyshje ndalimet masive dhe gjyqet false që dënuan padrejtësisht ata që guxojnë të flasin në Kubë. Kjo është një përpjekje për të frikësuar dhe kërcënuar popullin Kuban që të heshtë,” tha presidenti Biden kur njoftoi sanksionet.
“Populli Kuban ka të njëjtat të drejta për lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor si të gjithë të tjerët,” shtoi Biden. “Shtetet e Bashkuara mbështesin qytetarët e guximshëm kubanë që kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar 62 vjet shtypje nën regjimin komunist”, ishte mesazhi i presidentit amerikan.
Një fenomen që mori vëmendje gjatë protestave në Kubë, ishte edhe përdorimi i medieve sociale për të fuqizuar protestën qytetare kundër komunizmit. Protesta që nisi ndaj mungesës së produkteve bazë dhe ilaçeve u kthye në një protestë për lirinë e munguar nën komunizëm. Thirrjet e qytetarëve u shpërndanë përmes Facebook Live, por qeveria ndërmori menjëherë masat për ta ndërprerë internetin.
Ndërprerja e internetit bëri që Guvernatori i Floridës Ron DeSantis, i njohur për qendrimin e tij kundër komunizmit, të kërkojë që administrata e Presidentit Joe Biden të mbështesë përpjekjet për të ruajtur shërbimin e internetit në Kubë me përdorimin e balonave wi-fi.
Sipas ekspertëve të komunikimit në Amerikën Latine, zhgënjimi për situatën socio-ekonomike të Kubës është “nxehur” në muajt e fundit, pjesërisht për shkak të komenteve të përmes medieve sociale nga të rinjtë e vendit. Përdorimi efektiv i medieve sociale, sipas ekspertëve është katalizatori dhe ” Fuqia e të pafuqishmëve “.

