Me sloganin “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara”, Partia Socialiste nis këtë të martë fushatën për zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Të pranishëm janë të 61 kandidatët për bashkitë e vendit të cilët, kryeministri Edi Rama i takoi me radhë. Më pas kryesocialisti mbajti edhe një fjalë hapëse.
“Jam krenar për vlerën e shtuar që fitoret e PS-së kanë sjellë për Shqipërinë. Sot Shqipëria është një vend krejt tjetër në sytë e botës. Për herë të parë na janë besuar edhe role të para që në OSBE, deri në Këshillin e Sigurimit në OKB”, tha Rama në hyrje të fjalës së tij.
Kryeministri argumentoi më tej përse vota e 14 Majit duhet të shkojë për socialistët.
“Vota për të tjerët ka sjellë si rregull më shumë dëme se sa të mira. Madje dëme tejet serioze krejt të pariparueshme apo dëme që janë dashur vite e vite të riparohen. Edhe ne nuk kemi bërë mirë çdo gjë, ama asgjë me dëm serioz për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk kemi bërë. Ne nuk jemi pajtuar as me gabimet tona, as me ata prej nesh që kanë shkelur parimet tona. Bilanci jonë është pozitiv me të gjitha kontratat zgjedhore. Jemi fuqia e ndryshimit në këtë vend. Kur zgjedhësit na besojnë votën e tyre ne bëjmë atë çka të tjerët as nuk dinë ta bëjnë, as nuk mundet ta bëjnë dhe as nuk e kanë bërë në ndonjë bashki të vetme në tërë këto vite”.
PS ka vendosur që vetëm 16 nga 61 kryetarët aktualë të bashkive të jenë emra të rinj në listën e kandidimin për garën e 14 Majit, ndërkohë që 45 të tjerë do të kenë mundësi për t’u rikandiduar për një mandat të dytë ose të tretë.