Pa Tom Doshin, Edi Rama nuk do të kishte pasur suksesin elektoral në disa bashki. Numrat e votave flasin se pa mbështetjen e PSD-së, Benet Beci në Shkodër, Pjerin Ndreu në Lezhë, Kristian Shkreli në Vaun e Dejës dhe Tonin Marinaj Malësinë e Madhe do të kishin mbetur thjesht aspirata për Partinë Socialiste. Kësisoj, Partia Socialdemokrate tashmë është një realitet politik nëpërmjet të cilit socialistët gëzojnë pushtetin në veriun e vendit.
Fitorja e kandidatit të Partisë Socialiste në Shkodër Benet Becit është fakt, por numërimi i kutive për këshillin bashkiak nxori në pah një fakt tjetër. Përmbysja nuk do të ishte e mundur pa votat e Tom Doshit.
Sipas të dhënave zyrtare të dala nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Benet Beci ka marrë mbështetjen me 34.531 vota, ndërsa Bardh Spahia 22.804 vota. Pas numërimit të votave për këshill bashkiak, e cila konsiderohet edhe si vota politike, rezultoi se Partia Socialiste ka marrë 17.963 vota ndërsa Partia Social Demokrate 12.908 vota. Benet Beci ka shkuar përtej, duke mundur të grumbullojë 3660 fletë votimi më shumë se sa të dyja partitë bashkë.
Por nëse votave të kandidatit i zbriten ato të PSD-së, atëherë Beci do të zbriste nën rivalin demokrat, gjë që tregon se ishte prurja e Tom Doshit që përcaktoi fitoren e socialistëve në Shkodër.
Fenomeni PSD është faktor edhe në mandatin e dytë të Pjerin Ndreut në Lezhë. Shifrat e nxjerrin Partinë Social Demokrate forcë të tretë në këtë bashki, me një diferencë fare të vogël me koalicionin Bashkë Fitojmë. Kësisoj nëse shifrës prej 18.294 votash të Pjerin Ndreut i zbresim 4870 fletë mbështetje të Tom Doshit në këtë bashki, rezulton se diferenca prej 13.424 votash është më e vogël se sa mbështetja që mori kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Pashk Gjoni i cili u votua 16.367 herë.
Gjesti ndërmjet dy kandidatëve në Vaun e Dejës bëri xhiron e edicioneve informative pasi në realitetin politik shqiptar, rrallëherë rivalët përshëndesin njëri-tjetrin në fund të garës. Nga morali elektoral, aritmetika zgjedhore nxjerr gjithashtu një të dhënë tjetër, socialistët do të vijojnë të qeverisin Vaun e Dejës për shkak të mbështetjes së Tom Doshit. Kristian Shkreli mori mbështetjen e 8359 votuesve të bashkisë së Vaut të Dejës ku pa 4082 votat e PSD-së e cila rezulton forcë e parë në këtë bashki, mandati do ishte në duart e Zef Hilës.
Krahas këtyre bashkive edhe Fitorja në Malësinë e Madhe do të ishte e pamundur pa mbështetjen e PSD-së, forcë politike e cila tashmë është një realitet politik jo vetëm në veriun e vendit dhe Tom Doshi rezultoi të jetë “kingmaker” i ri pas kapitullimit të LSI-së në 2017.