Presidenti francez Emmanuel Macron tërhoqi vëmendjen jo vetëm për fjalimin e tij të ashpër në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, por edhe për paraqitjen e pazakontë: me syze dielli blu ndërsa fliste para liderëve botërorë, në një ambient të mbyllur.
Macron i mbajti syzet të martën, gjatë një fjalimi ku kritikoi ashpër kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj tetë vendeve europiane që kundërshtojnë planin e tij për marrjen e Groenlandës, shkruan A2. Megjithatë, presidenti francez nuk dha asnjë shpjegim publik për arsyen e përdorimit të syzeve.
Sipas mediave franceze, zgjedhja lidhet me një gjendje shëndetësore të përkohshme. Javën e kaluar, Macron u shfaq në një aktivitet ushtarak në jug të Francës me një sy të skuqur dhe në disa momente mbajti syze të ngjashme. Ai e minimizoi situatën, duke e quajtur “të parëndësishme”, ndërsa kërkoi ndjesë për pamjen e syrit.
Presidenti madje bëri edhe shaka, duke e quajtur “syri i tigrit”, një referencë ndaj këngës së famshme të grupit Survivor, e përdorur në filmin “Rocky III”, si simbol i vendosmërisë.
Raportimet mjekësore sugjerojnë se Macron ka pësuar një hemorragji subkonjuktivale, një enë gjaku e çarë në sy, e cila është e padëmshme, pa dhimbje dhe nuk ndikon në shikim. Kjo gjendje zakonisht zhduket brenda dy javësh dhe mund të shkaktohet nga teshtima, kollitja ose fërkimi i syrit.
Edhe pse syzet nuk janë të domosdoshme për mbrojtjen e shikimit, disa persona i përdorin për arsye estetike. “Ai i zgjodhi për imazh, sepse është figurë publike”, tha mjeku dhe komentatori mediatik Jimmy Mohamed për RTL.
Vendimi i Macron ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke e krahasuar me personazhe filmash si “Top Gun”.

