FATOS LUBONJA
Shkrimi ku shtjelloj pse sot jam kundër të baraslarguarve ka hapur mjaft polemika. Duke e interpretuar termin “bashkim” si shkrirje apo rreshtim në kampin Berisha-Meta, disa të baraslarguar e kanë refuzuar këtë ide si kthim mbrapa. Ky shkrim, duke iu referuar edhe historisë së Shqipërisë, synon të mbrojë tezën se pse sot duhet bashkimi në mbrojtje të demokracisë, i kuptuar ky, siç e kam thënë qartë në shkrimin paraardhës, si bashkëpunim i të ndryshmëve; pse ky bashkim nuk po ndodh, si duhet të ndodhë dhe pse, sikur të ndodhë një ditë ashtu siç e mendoj, do të hidhnim një hap të madh përpara në historinë e Shqipërisë.
PAK HISTORI MË PARË
Në librin e saj të ri mbi historinë e Shqipërisë nga viti 1920 në 1939, Nathalie Clayer, duke trajtuar figurën e Zogut, i referohet mes të tjerash edhe librit “Shqipëria përballë Evropës” të gazetarit francez Albert Mousset, botuar në 1930. Duke përshkruar aspiratën e Zogut për të qenë një Mustafa Qemal i Shqipërisë, ajo citon Mousset kur thotë se për të bërë këtë, Zogu nuk kishte “ni le deìsinteìressement, ni l’esprit de suite” të Ataturkut, –çka, për ta shpjeguar më gjatë në shqip, do të thotë se nuk kishte as aftësinë për t’u ndarë nga interesat vetjake (në favor të interesit të popullit të tij) dhe as ndjenjën e vazhdimësisë (në realizimin e projekteve të premtuara).
Po të shohim historinë e Shqipërisë do të vërejmë se sa herë ka ardhur puna që interesat e vendit kanë diverguar nga ato vetjake, udhëheqësit shqiptarë kanë zgjedhur këto të dytat, duke sakrifikuar vendin. Edhe ndaj projekteve të premtuara po kështu janë sjellë: i kanë braktisur pa ngurrim në emër të atyre vetjake. Kjo ka ndodhur edhe kur interesat e vendit kanë kërkuar bashkimin si bashkëpunim. Sapo ky ka dalë në kundërshtim me interesat vetjake, udhëheqësit tanë kanë zgjedhur përçarjen, konfliktin, dominimin deri në asgjësim të kundërshtarëve sipas thënies “Mors tua vita ma” (vdekja jote jeta ime). Historia jonë është zhvilluar e tëra nën shenjën e kësaj sindrome duke filluar që nga koha para Luftës I Ballkanike kur, siç na tregon Eqerem Bej Vlora, interesat vetjake të liderëve shqiptarë vonuan realizimin e projektit të Hasan Prishtinës të një vilajeti të madh shqiptar që, në një hap të dytë, do të mundësonte krijimin e një Shqipërie dy herë më të madhe me kryeqytet Shkupin. Le të kujtoj gjithashtu se gjatë Luftës së Dytë, sikur komunistët t’i kishin qëndruar projektit të Frontit Demokratik – të bashkimit pa dallim feje, krahine, ideje – dhe më pas marrëveshjes për bashkëpunim që nënshkruan në Mukje me nacionalistët do të mund të kishim pasur një Shqipëri tjetër, pa diktaturën, burgjet, izolimin nga bota dhe përçudnimin e njeriut shqiptar që po e vuajmë aq shumë edhe sot.
Jo vetëm ngjarje vendimtare historike janë shënjuar nga kjo sindromë, por edhe qeverisjet nga një pjesë/parti, madje edhe brenda pjesës/ partisë ka mbizotëruar interesi vetjak i liderit të saj. Kështu, Zogu, për hir të interesave të tij personale, bëri armiq të tij gjysmën e shqiptarëve më me kulturë duke i dëbuar, edhe vrarë, duke i nënshtruar, korruptuar, injoruar, çka e privoi Shqipërinë nga politika shumë më të mira. Për Enver Hoxhën as që ia vlen të jepen shembuj sepse ai e çoi në ekstrem këtë sindromë, deri në izolimin e shqiptarëve nga e gjithë bota.
Të njëjtat paaftësi kanë vazhduar ta lektisin Shqipërinë edhe pas rënies së komunizmit, ku dominimi i interesave vetjake të individëve në pushtet, në dëm të interesave të vendit janë zhvilluar në kushtet e demokracisë ku presupozohet pikërisht bashkëjetesa e të kundërtave për të përfaqësuar interesa sa më të gjera dhe mbledhur kontribute sa më të shumta.
Sigurisht, historia tregon se ky nuk është vetëm fenomen shqiptar, por ashpërsia dhe ekstremizmi, me të cilin është shfaqur në historinë tonë, e bën një rast ulëritës ndër vendet e kontinentit ku jetojmë. E bën edhe më ulëritës fakti se gjatë mbi njëqind vjet pavarësi nuk kemi nxjerrë dot një figurë udhëheqësi ndryshe, çka tregon se kjo sindromë nuk është çështje personash, por tipar karakterial i shumicës së shqiptarëve, i ndërtuar nga shkaqe historike kulturore. Ndër këto shkaqe do të përmendja si kryesore: mbizotërimin e një shoqërie klanore që, siç thoshte Mid’hat Frashëri pas pavarësisë, i duhej të krijonte nga një grumbuj fisesh një komb; të qenit me katër fe, por pa qenë thellësisht besimtarë në asnjërën; të jetuarit një kohë relativisht të shkurtër së bashku; shkatërrimin që i bëri regjimi komunist, nëpërmjet kolektivizimit të dhunshëm, njeriut si qenie që ka nevojë të lidhet në komunitet me të tjerët; mbizotërimin në kohën e neoliberizmit që jetojmë të individualizmit ekstrem të kuptuar në Shqipëri, banalisht, vetëm si kamje materiale.
Në rreth vicioz, këto shkaqe kanë krijuar pushtetarë që sillen si kafshë grabitqare ndaj popullit dhe këto sjellje kanë kultivuar kulturën e grabitqarit te populli.
MBI GJENDJEN E BASHKIMIT SOT
Gjithë sa kam shkruar më lart nuk duhet lexuar në terma pesimizmi, por si analizë kritike e së shkuarës nisur nga e keqja e së tashmes dhe nevoja për t’u çliruar prej saj. Le të kthehem tani te polemikat rreth shkrimit tim mbi nevojën për bashkimin si bashkëpunim në mbrojtje të demokracisë. Teza e shkrimit bazohej në konstatimin se megjithëse në qeverisjet Nano – Majko – Meta – Nano (1997 -2005), Berisha – Berisha-Meta (2005 – 2013) dhe Rama-Meta (2013 – 2017) ka sunduar sistemi oligarkik i korrupsionit ky ka qenë pluralist dhe ka mundësuar rrotacionin, kurse pas vitit 2017 ka ndodhur një grusht shteti nga lart për vendosjen e një regjimi monopartiak, që po fundos edhe ato pak shtylla të dobëta demokracie të sapondërtuara e që janë bazamenti mbi të cilin mbahemi të gjithë. Prandaj, ndaj këtij rreziku lipset bashkëpunimi kundër këtij grushti shteti, i sa më shumë aktorëve politikë: parti opozitare, shoqëri civile, intelektualë, por edhe i njerëzve të përgjegjshëm të partisë në pushtet, çka e kam ilustruar duke sjellë shembullin e protestave në Izrael, ku njerëzit u ngritën së bashku, pushtetarë dhe opozitarë, fetarë dhe jo fetarë, të majtë dhe të djathtë, punëtorë dhe punëdhënës sapo u projektua nga Netanyhau grushti i shtetit nëpërmjet kapjes së drejtësisë, çka te ne nuk është më projekt në letër, po ka hedhur shumë kate.
PD-JA E VULËS
Në fakt, kam kohë që e shpreh tezën e nevojës së bashkëpunimit kundër projektit të Ramës që po ndjek mësimin e vëllait të tij të madh, Erdogan, se “demokracia është si një tren, të cilit i hipën deri sa arrin në stacionin e duhur”. E kam thënë edhe në kohën kur opozita e drejtuar nga Basha deklaronte se “ky regjim nuk rrëzohet dot me zgjedhje”, se “opozita nuk mund të shërbejë si fasadë e regjimit”; kur fliste për nevojën e një “republikë të re” që do të mund të arrihej vetëm nëpërmjet bashkimit të shqiptarëve në protesta dhe mosbindje civile deri në destabilitet – si për shembull me djegien e qendrave të votimit në rastin e zgjedhjeve lokale 2019. Mirëpo, çfarë ka ndodhur? Ç’prej atëherë Rama ka zbritur nga treni dhe ka filluar eliminimin përfundimtar të opozitës. Argumenti kryesor që i është shitur popullit për të maskuar këtë grusht shteti është se Rama fiton sepse nuk ka alternativë pasi opozita është e dobët se ka brenda njerëz si Berisha dhe Meta, që janë përfaqësuesit e sistemit të korrupsionit. Kaq i fortë është bërë ky argument me ndihmë të ndërkombëtarëve, por edhe të të baraslarguarve dhe të një pjese të mirë të shoqërisë civile, saqë më në fund, pas 25 prillit, e përqafoi edhe vetë lideri i PD-së, Lulzim Basha. Ndonëse e pa qartë sesi ia blenë e manipuluan zgjedhjet (pasi kishte parë ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor me miratimin e ambasadores amerikane) në vend se t’i përdorte këto e të tjera fakte skandaloze si argument se sistemi i vjetër është shndërruar në regjim që nuk rrëzohet me votë, ai iu nënshtrua kërcënimeve të ambasadores amerikane se do të hante bar po të mos e pastronte partinë nga Berisha dhe ndjekësit e tij. Kësisoj, duke pranuar edhe “non grata-n” ndaj Berishës ai e transferoi përgjegjësinë e humbjes nga “regjimi që nuk rrëzohet me zgjedhje” te partia e tij. Të njëjtën gjë po bëjnë sot edhe delfinët e tij të vulës. Ndonëse rasti Mac Gonical tregoi qartë se me shumë gjasa “non grata” amerikane ishte vepër e ca amerikanëve të korruptuar e mashtruar nga Rama, ata vazhdojnë të kurojnë interesat tyre vetjake duke manipuluar me “nongrata-n”. Për të marrë vulën e pamerituar të partisë shkuan tek ajo drejtësi që më herët e kishin denoncuar për mbylljen e dosjeve të bashkëpunimit të Ramës me krimin për vjedhjen e votës dhe vazhduan përçarjen e partisë, duke na e shitur kthimin e tyre në “fasadë të regjimit”, si reformim dhe pastrim të PD-së.
TË BARASLARGUARIT
Roli i të baraslarguarve kundër bashkëpunimit, kur nuk bëhet fjalë për atë të fshehin me Ramën apo Veliajn, diktohet nga fakti se vetë ekzistenca e tyre identitare programore është ndërtuar mbi refuzimin e opozitës së sistemit.
Sikur të ishim në kushtet e para 2017-tës, të një sistemi oligarkik të korrupsionit, por me mundësi rrotacioni, interesat e të baraslarguarve do të kishin qenë në një kahe me interesat e vendit. Shqipëria ka dëshpërimisht nevojë për parti të reja me ide dhe programe socialiste dhe liberal-demokrate, të cilat, duke denoncuar sistemin e ngritur nga partitë e vjetra, do të shërbenin, në mos për fitoren e një force të re, për të korrigjuar partitë e vjetra. Mirëpo, në kushtet kur ky sistem ka degjeneruar në regjim monopartiak, imperativi i çdo opozitari duhet të jetë bashkimi si bashkëpunim për të frenuar grushtin e shtetit. Ndërkaq, duke menduar vetëm për interesa të ngushta, të baraslarguarit nuk bashkohen as me njëri-tjetrin, duke vazhduar të argumentojnë se shkaku që në Shqipëri nuk ka më rrotacion është opozita e vjetër. Kjo shpjegon pse nuk i kemi dëgjuar p.sh. të flasin për reformën në drejtësi si manovër e Ramës për ta kapur atë, të denoncojnë raste si ai i gradimit në SPAK të prokurorit të Elbasanit që mbrojti vjedhjen e votës së PD-së, të shohin se oligarkët janë rreshtuar thuajse të gjithë te Rama kurse ata që janë kundër po sulmohen nga institucionet e kapura me në krye drejtësinë; mos o Zot pastaj të denoncojnë ambasadoren amerikane që shkel me këmbë konventën e Vjenës duke u sjellë njëherësh edhe si arbitër, edhe si mesfushore e skuadrës së Ramës.
Me një fjalë, në kushtet e regjimit, diskursi i të baraslarguarve se përgjegjësinë për mungesën e rrotacionit e ka opozita e vjetër, se çdo aleancë me të është kthim prapa, sot përkthehet si një aleancë interesash me Ramën pasi përcjell idenë se Rama duhet të prijë përpara në krye të regjimit derisa opozita e vjetër të reformohet ose të zhduket dhe të zëvendësohet nga të baraslarguarit apo ndonjë forcë idealiste që ende s’ka lindur. Kjo realisht do të thotë deri në kalendat greke sepse grushti i shteti po na tregon çdo ditë se fryma opozitare idealiste është në zhdukje. S’ka si të jetë ndryshe, e tregon edhe historia: idealizmat lindin në një shoqëri që ecën përpara dhe jo në një shoqëri që degradon përditë nën peshën e padijes, krimit dhe korrupsionit.
PD-JA E FOLTORES
Larg qoftë nuk dua të përjashtoj Berishën dhe Metën nga sindroma e mos shikimit përtej interesit vetjak dhe e mungesës së koherencës. E kanë manifestuar atë me bollëk kur kanë qenë në pushtet si njëri edhe tjetri. Jo më kot kjo është akuza që ngjit më shumë kundër tyre. Sot personalisht gjykoj se interesat e tyre vetjake në rrëzimin e Ramës janë në një kahe me interesat e shumicës së shqiptarëve, pasi janë të vetmit që e kanë artikuluar me forcë rrezikun e fundosjes së bazamentit, mbi të cilin qëndrojmë të gjithë, por do të ishte një gënjeshtër e madhe të thuash se këtë po e bëjnë duke kapërcyer interesat vetjake. Sindroma e interesit vetjak duket qartë në atë se ata injorojnë faktin se interesat e shqiptarëve për të shpëtuar demokracinë kërkojnë shumë më tepër njerëz nga ç’mund të mbledhin ata. Me fjalë të tjera, ata injorojnë faktin se, për shkak të përgjegjësive të tyre në ndërtimin e sistemit oligarkik të korrupsionit, të ngarkuar me potencialitetin e degjenerimit në regjim, sot ka shumë njerëz që nuk mund t’u besojnë, që minimalisht, kanë nevojë për garanci të tjera e jo që ata t’u paraqiten si garantë të mjaftueshëm, si e bardha kundër së zezës. Është e vërtetë që ata e kanë kërkuar bashkimin, por nën komandën e tyre dhe jo duke u ofruar si partnerë të mundshëm bashkimi si bashkëpunim me garantë të tjerë, duke respektuar edhe kushtëzimet e tyre, në emër të një çështjeje që u përket të gjithëve.
MODALITETET E KËTIJ BASHKËPUNIMI
Në këtë pikë nuk mund të mos dal te modalitetet e mundshme të bashkimit si bashkëpunim. Nuk marr përsipër të gjej formulën e përsosur pasi mendoj se ajo duhet të arrihet nëpërmjet një procesi dialogimi e kushtëzimi të ndërsjellë të të gjithë atyre që e shohin instalimin e regjimit si rrezikun kryesor. Mund të them, megjithatë, se nuk e mendoj si një “bashkim për fitore”, siç është emri i koalicionit Berisha – Meta – por si një bashkim edhe më i gjerë edhe pa fitore, si një “katekon” siç do të thoshte Carl Schmidti, për të frenuar triumfin e së keqes që po e rrezikon vendin. Aq më pak e mendoj si një bashkim për fitore në zgjedhjet lokale me programe dhe projekte për të përmirësuar trafikun, shërbimin urban, pastrimin e plehrave etj., ndërkohë që po shohim përditë dhunimin e lirisë së këtyre zgjedhjeve nga arroganca e grushtit të shtetit… Për mua zgjedhjet lokale janë një rast për ta ringritur problemin e bashkimit dhe për të gjetur modalitetet e bashkimit pasi ato janë një stres-test që tregon shumë qartë gjendjen, mundësitë ose pamundësitë e këtij në lojën politike. Bashkimi më i mirë që kam në mendje do të ishte ai i një lëvizje për demokracinë që mundësisht, nëpërmjet protestash të fuqishme, nuk do t’i lejonte fare zgjedhjet në kushtet aktuale–siç mendonte edhe dora vetë Lulzim Basha para disa vjetësh –derisa të imponohej dorëheqja e qeverisë. Pastaj qeveria e dalë nga kjo lëvizje do të duhej të punonte pikësëpari për krijimin e zgjedhjeve të lira nëpërmjet një sërë operacionesh pastrimi të kapjes së shtetit nga Rama, që do të depolitizonin policinë dhe drejtësinë, që do të çlironin mediat, që do të hiqnin monopolet në ekonomi dhe do të nxirrnin krimin nga ekonomia dhe politika e do ta fusnin në nëntokën nga ka dalë.
SI PËRFUNDIM
Siç duket bathët bashkimi që sugjeroj nuk ka ndodhur dhe as ka mundësi të ndodhë pikërisht për shkak të sindromës që shtjellova e që, fatkeqësisht, e shoh edhe te moshat më të reja që më kujtojnë thënien e Konicës se “në Shqipëri nuk ka të rinj, por ca që kanë lindur me parë dhe ca më prapa”. Një i baraslarguar nga të tri kategoritë që analizova do të mund të thoshte: duhet të ikin të gjithë këta, që të shpëtojë Shqipëria. Por kjo, realisht, do të thotë që të boshatiset Shqipëria sepse ajo përbëhet nga këta njerëz. Për mua dalja te politikani që arrin kulturalisht aftësinë për t’u ndarë nga interesat personale (në favor të interesit të popullit të tij), që u qëndron me konsekuencë projekteve që ka premtuar, që e sheh bashkimin si bashkëpunim dhe jo si rreshtim prapa tij nuk mund të vijë as nga qielli, as nga Amerika, por nga praktika e ndeshjes së përditshme me të keqen që prodhon sindroma në fjalë. Vetëm nëpërmjet kësaj dialektike, që në thelb është vetë lufta për demokraci, mund të ndërtohet një ndërgjegje e re kolektive – kujtoj se disa popuj e kanë ndërtuar këtë nëpërmjet prerjes së kokës mbretërve dhe prapë duke luftuar përditë që mbretër të tjerë asisoj të mos rikthehen – çka do t’ia bëjë jetën të vështirë, në mos të pamundur, çdo politikani që do të guxojë të verë interesin e tij kundër interesit të vendit të vet.