Forcat ruse kanë filluar të mbulojnë disa prej avionëve të tyre luftarakë me goma makinash në një përpjekje të improvizuar për t’i mbrojtur ata nga sulmet me dronë ukrainas që janë intensifikuar javët e fundit.
Imazhet satelitore nga Maxar i bazës së Forcave Ajrore Engels, në Rusi, kapën dy bombardues Tu-95 të mbuluar me goma makinash.
Zyrtarisht, mbetet e paqartë pse rusët po mbulojnë avionët e tyre me goma, por ekspertët besojnë se kjo është një përpjekje e papërpunuar jo vetëm për të shtuar një shtresë tjetër mbrojtjeje kundër dronëve ukrainas, por edhe për të zvogëluar dukshmërinë e avionit, veçanërisht gjatë natës.
Megjithatë, siç shpjegojnë ekspertët e One Way Aerospace, prodhuesi i dronëve ukrainas, ky veprim ka më shumë gjasa të ketë rezultate të kufizuara.
“Ai mund të zvogëlojë gjurmën termike të avionëve të ekspozuar në pistat e aeroportit, megjithatë ato mbeten të dukshme me kamera infra të kuqe,” vëren një ekzekutiv i kompanisë.
“Edhe pse duket pak budallallëk, duket se ata po përpiqen të bëjnë më të mirën për të mbrojtur avionët e tyre, të cilët janë një objektiv i lehtë. Nëse kjo do të funksionojë varet nga armatimi që mbart raketa ose droni”, shpjegon Stefan Watkins, një konsulent kërkimor në një kompani që gjurmon anijet dhe avionët.
Ai shtoi se gomat mund të përdoren për të parandaluar çdo fragment shpërthimi nga depërtimi dhe dëmtimi i avionit.
NATO është në dijeni të mbulimit të avionëve rusë me goma, tha një zyrtar i aleancës së Atlantikut të Veriut, i cili foli për CNN në kushte anonimiteti.
Vihet re se javët e fundit Ukraina ka shtuar sulmet e saj kundër objektivave strategjikë brenda Rusisë.