Pse SHBA mund të bllokojë kartat tona të kreditit dhe t’i vërë bankat nën presion

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Më 21 gusht, telefoni i Nicolas Guillou praktikisht “u shua”. Nuk mund të rezervonte një Uber, një biletë treni apo të bënte blerje online. Kartat e kreditit iu bllokuan, duke e lënë pa mundësi pagese në supermarkete, restorante apo akses në llogarinë bankare. Edhe Expedia i refuzoi rezervimin e një hoteli në Francë. “Faji” i Guillou dhe i katër gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë ishte autorizimi i një urdhër-arresti për krime lufte ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Për këtë vendim, administrata e Donald Trump vendosi sanksione, duke ndaluar çdo kompani amerikane, ose me interesa në SHBA, t’u ofrojë çfarëdo shërbimi. Njësoj ndodhi në korrik 2025 me raporteren speciale të OKB-së për territoret palestineze të pushtuara, Francesca Albanese, e cila ftoi gjykatën të hetonte kompani dhe drejtues të dyshuar si bashkëpunëtorë në krimet e kryera në Gaza. PayPal bllokoi pagesa që përmbanin emrin e saj në përshkrim. Sot Albanese nuk mund të hapë llogari as në banka italiane, nga frika e ndëshkimeve amerikane.

Qarku i detyruar

Kjo ndodh sepse pjesa dërrmuese e transaksioneve elektronike në eurozonë kalon përmes rrjeteve amerikane Visa, Mastercard dhe American Express. Nëse këto rrjete do të “fikeshin” me urdhër politik, pagesat me karta në Evropë do të paralizoheshin.

Eurozona nuk ka arritur kurrë të krijojë një rrjet të përbashkët evropian pagesash, ndërsa bankat evropiane kanë përfituar nga komisionet e larta të rrjeteve amerikane. Në praktikë, sanksionet amerikane barazohen me një “dënim me vdekje financiare”.

Perandoria e dollarit

Supremacia financiare e SHBA-ve është edhe më e fuqishme se ajo ushtarake. Sipas të dhënave të Federal Reserve, asetet në dollarë të mbajtura jashtë SHBA-ve arrijnë rreth 70 trilionë dollarë dhe mbështesin afro një të tretën e borxhit publik amerikan. Dollari përbën 58% të rezervave valutore të bankave qendrore në botë, kundrejt 20% të euros.

Në tregtinë globale, rreth 50% e pagesave ndërkombëtare kryhen në dollarë. Në eksportet ndërkombëtare, 96% e faturave në Amerikë, 74% në Azi-Paqësor dhe 79% në pjesën tjetër të botës janë në dollarë. Kjo i detyron kompanitë dhe bankat të kenë llogari në dollarë dhe, rrjedhimisht, t’i nënshtrohen sistemit bankar amerikan, ku çdo transaksion monitorohet nga autoritetet e SHBA-ve.

Armë presioni dhe shantazhi

Përjashtimi nga qarku i dollarit mund të shkatërrojë një bankë apo kompani. Rasti i bankës letoneze ABLV në vitin 2018, e rrëzuar pas kërcënimit për sanksione, është shembull tipik. Edhe banka të mëdha evropiane – Unicredit, BNP Paribas, Deutsche Bank, HSBC, Barclays, Credit Suisse, Commerzbank – kanë paguar mes viteve 2010–2020 rreth 18 miliardë dollarë gjoba për pagesa në dollarë drejt vendeve nën embargo amerikane, ndonëse jo nën sanksione të BE-së.

Shenja shkëputjeje

Kina po përpiqet të ulë varësinë nga dollari dhe në vitin 2025 rreth 40% e tregtisë së saj u krye në juan, por besimi global mbetet i kufizuar. Në Evropë, Banka Qendrore Evropiane po përshpejton projektin e euros digjitale, për të reduktuar varësinë nga rrjetet amerikane të kartave dhe për t’u dhënë akses financiar edhe individëve të sanksionuar nga SHBA-të.

Sipas presidentes së BQE-së, Christine Lagarde, euroja mund të bëhet një alternativë reale ndaj dollarit vetëm nëse BE-ja forcon mbrojtjen e përbashkët, rrit borxhin e përbashkët dhe zgjeron ndikimin tregtar. Marrëveshjet e fundit të tregtisë së lirë me Indinë dhe vendet e Mercosur-it janë hapa në këtë drejtim. Por pa një treg të vetëm kapitalesh dhe pa unitet politik, Evropa do të vazhdojë të ushqejë fuqinë financiare të SHBA-ve, një proces që Uashingtoni, sipas kritikëve, përpiqet ta frenojë me çdo mjet.

Share This Article