E shtunë, 7 qershor 2025 ora 20:45. Kjo datë dhe orë është në mendjen e çdo shqiptari fill pas shortit nga UEFA, pasi Kombëtarja kuqezi e udhëhequr nga “lushnjari” Sylvinho pret në Tiranë rivalët e Serbisë. Ndeshja e “Arenës Kombëtare” vlen për Grupin K kualifikues në Kupën e Botës 2026 dhe përballja nuk është thjesht një sfidë që zgjat 90 minuta.
Emocionet e këtij dueli nisën mesditën e 13 dhjetorit 2024, kur në Nyon u hodh shorti për këto kualifikuese dhe goglat e deshën që Shqipëria dhe Serbia të ndodheshin në Grupin K, së bashku me Anglinë, Letoninë dhe Andorrën. Kur jemi vetëm nëntë ditë larg nga sfida, përballja ka zgjuar interes të jashtëzakonshëm dhe kërkesat për bileta kanë shkuar në afro 400 mijë të tilla, për një stadium që do jetë i gatshëm në kapacitetin 17 mijë, jo i plotë (22 mijë) pasi FSHF u dënua nga UEFA me reduktimin e 20 përqind të vendeve për shkak të sjelljes jo të mirë të tifozëve në sfidën e fundit.
Droni dhe dhuna në Beograd
https://ad.doubleclick.net/ddm/adi/N571601.3431527GAZETATEMA/B33446497.420771762;dc_ver=106.314;dc_eid=40004001;sz=728×90;u_sd=1;nel=1;dc_adk=4248395737;ord=3bb6xt;click0=https%3A%2F%2Ftrack.adform.net%2FC%2F%3Fbn%3D73199544%3Badfibeg%3D0%3Bcdata%3Dhjikn9YUZ6zjXh2CE4COEUAVTryd1WfOYWKGrXOGHPCF61Rb13rTlQCXwFF0zDGGfx6II5lAR0lKJoTG9By161uwp9OApXMzLzxK2K-7POx9zAVUxy6ns7VJjjtCGnYXtdegobUSYcU7-dG7eTQ1kz3UgpWNsz2ioVoayUUHIyh8fWxc76uQZ94PoKzMBOghfyZYkv6bwxKhaCub_thwPGHuoaXLH-s14UFuhV40q881%3B%3BCREFURL%3Dhttps%253a%252f%252fwww.gazetatema.net%252fsport%252fpse-shqiperi-serbi-eshte-me-shume-se-ndeshje-futbolli-i496991%3BC%3D1%3Bcpdir%3D;uach=WyJXaW5kb3dzIiwiMTAuMC4wIiwieDg2IiwiIiwiMTM3LjAuNzE1MS41NiIsbnVsbCwwLG51bGwsIjY0IixbWyJHb29nbGUgQ2hyb21lIiwiMTM3LjAuNzE1MS41NiJdLFsiQ2hyb21pdW0iLCIxMzcuMC43MTUxLjU2Il0sWyJOb3QvQSlCcmFuZCIsIjI0LjAuMC4wIl1dLDBd;dc_rfl=0,https%3A%2F%2Fwww.gazetatema.net%2Fsport%2Fpse-shqiperi-serbi-eshte-me-shume-se-ndeshje-futbolli-i496991$0;xdt=0;crlt=vYJaFJJMp(;cmpl=58;gcsr=m;stc=1;chaa=1;sttr=2;prcl=s
Përballja e parë mes Shqipërisë dhe Serbisë në fushën e lojës pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ishte më 14 tetor 2014 në stadiumin e Partizanit në Beograd. 47 vite pas takimit të fundit (Jugosllavi 4-0 Shqipëri, 12 nëntor 1967 po në Beograd), përballja prodhoi skena të pakëndshme, me tifozët serbë që u futën në fushën e lojës dhe dhunuan lojtarët tanë. Ndeshja u luajt vetëm 42 minuta, pasi gjyqtari anglez Martin Atkinson ndali ndeshjen pas hedhjes së tymueseve në fushën e lojës.
Ndalimi – UEFA dhe Federata Serbe e Futbollit nuk lejuan që tifozët nga Shqipëria të ishin në stadium, për të shmangur dhunën në një ndeshje që mpleksen keqazi futbolli dhe historia mes dy popujve. Vetëm disa gazetarë nga Shqipëria kishin udhëtuar me ekipin, si dëshmitarë të asaj që mediet evropiane e quajtën “kafshët dolën nga kafazi”.
Droni – Me simbolet kuqezi që nuk u lejuan për asnjë çast në stadium, Ismail Morina (i njohur si Ballisti) ngriti një dron mbi stadium. I riu shqiptar udhëtoi nga Italia ku banonte dhe prej orësh rrinte në pritje të shpalosjes së flamurit “Autochthonous”, ku ishin disa nga heronjtë kombëtar. Me ‘Shqiponjat’ që erdhën nga lart, serbët nuk u përmbajtën dhe koret raciste që nisën që në nisje të ndeshjes u shtuan.
Marrja e flamurit nga lojtarët serb solli një përleshje mes futbollistëve në fushë, teksa tifozët thyen hekurat (edhe me lejimin e policisë) dhe u futën në fushë duke dhunuar lojtarët tanë. Fotoja simbolike e karriges në kokën e Bekim Balajt, apo edhe grushti i dhënë nga Lorik Cana mbeten në memorie edhe pas afro 11 vitesh.
Në të tilla kushte nuk bëhej fjalë për futboll dhe Martin Atkinson i dërgoi futbollistët në dhomat e zhveshjes. Peripecitë për tanët nuk u ndalën këtu, pasi policia dhe ushtria serbe kërkonin atë që lëshoi dronin në çantat e futbollistëve dhe zyrtarëve të ekipit tonë, pa e ditur se gjithçka u orkestrua nga aty pranë, me Ismail Morinën që u ngjit në kambanoren e kishës së “Kryeengjëllit Gabriel” dhe ‘lëshoi Shqiponjën mbi Beograd’.
Pas orësh kontrollesh, futboll më nuk mund të luhej dhe ndeshja u ndërpre për të mos nisur kurrë, por në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë ankthi ishte për lojtarët. Kur u mësua se avioni me delegacionin kuqezi la Beogradin, mijëra tifozë dolën në orët e para ta 15 tetorit 2014 në aeroportin “Nënë Tereza” për të pritur djemtë që mbijetuan nga ‘ferri serb’.
CAS – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e dërgoi çështjen në CAS dhe drejtësia sportive e Lozanës i dha fitoren 0-3 në tavolinë ekipit tonë, me këto tri pikë që ndikuan ndjeshëm që pas këtyre kualifikueseve kuqezinjtë të siguronin finalet e “Francë 2016” për herë të parë në histori.
Serbia pas 10 vitesh në Shqipëri
Ndeshja e fundit mes Shqipërisë dhe Serbisë është zhvilluar më 8 tetor 2015 në “Elbasan Arena”, sfidë kjo e kthimit pas dramës në Beograd.
Serbia na mposhti 0-2, por përtej rezultatit shumëkush e mban mend këtë duel për peripecitë e futjes së tifozëve në stadium, aq sa nga atmosfera e zymtë për një ndeshje të Kombëtares u quajt si “sfida e tifozëve me kollare”. Paçka të gjithave organizatorët ia dolën që gjithçka të shkonte mirë dhe historia e 14 tetorit 2014 mos përsëritej.
11 vite nga dhuna, ‘shtrëngohen duart’
Pak muaj më parë Shqipëria dhe Serbia aplikuan për të bashkorganizuar Europianin 2027 për 21-vjeçarët, teksa UEFA i dha “dritën jeshile” dy vendeve për këtë event të rëndësishëm. Diçka e tillë solli përplasjen e Tifozave Kuq e Zi (TKZ) dhe FSHF-së, me palët që janë në konflikt të hapur dhe TKZ ende nuk ka bileta të rezervuara në stadium, kjo si pasojë e këtyre përplasjeve që në themel kanë Serbinë.
Historia mes dy popujve
Serbia nisi një konflikt të armatosur dhe u fut në Kosovë duke vrarë dhe masakruar mijëra shqiptarë dhe shpërngulur qindra mijëra të tjerë. Ushtria serbe u fut në Kosovë më 28 shkurt 1998 deri më 11 qershor 1999, kur NATO vendosi të bombardonte Serbinë dhe t’i jepte fund vuajtjeve të shqiptarëve përtej Drinit, por jo kujtimeve të hidhura për humbjet.
Policia dhe masat për Shqipëri – Serbi më 7 qershor 2025
1500 forca policie do të angazhohen për mbarëvajtjen e kësaj sfide, duke nisur nga shoqërimi i dy ekipeve, me fokus të veçantë atë të Serbisë. Nga momenti i mbërritjes në Tiranë, një ditë para ndeshjes dhe deri në largimin nga Shqipëria. Në terren për Shqipëri – Serbi do të jetë edhe anti-terrori, ndërsa për çdo rast mund të përfshihet edhe RENEA.
Shërbimi Informativ Shtetëror, ose SHISH, ka nisur prej kohësh të monitorojë rreziqet e mundshme, ndërsa masat përfshijnë edhe sigurinë brenda stadiumit. Federata ka marrë masat për përdorimin e kamerave specifike që bëjnë identifikimin me fytyrë të çdo tifozë që mund të bëjë sjellje të pahijshme. Shto këtu edhe biletat me emër për tifozët.
Biletat
Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që për herë të parë për këtë duel të ketë aplikime për bileta (zgjat deri më 30 maj) dhe më pas do përzgjidhen fatlumët që do jenë në impiant. Afro 400 mijë kërkesa për bileta nga tifozët kuqezi, ndërsa me një aplikim mund të sigurohen maksimumi deri katër të tilla.
Statistikat dhe përballjet Shqipëri – Serbi
Përballjet mes dy skuadrave datojnë që në 7 tetorin 1946 në një ndeshje në “Qemal Stafa” të Tiranës. Kombëtarja jonë mposhtej 2-3 nga ish-Jugosllavia e asaj kohe për Kampionatin Ballkanik. Po në Tiranë më 14 shtator 1947, Shqipëria humbiste sërish 2-4 nga ish-Jugosllavia. Ndeshja e radhës ishte në Beograd, me dy skuadrat që barazuan 0-0, më 27 qershor 1948.
Pas 19 vitesh dy skuadrat u përballën sërish në Tiranë më 14 maj 1967, me ish-Jugosllavinë që fitoi 0-2 në “Qemal Stafa” për kualifikueset e Europianit 1968. Në ndeshjen e kthimit në Beograd, ishin vendasit që fituan 4-0 kundër tanëve më 12 nëntor 1967.
Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dy skuadrat u përballën më 14 tetor 2014 në Beograd, në ndeshjen që Shqipëria e fitoi 0-3 në tavolinë, por që nuk quhet një fitore në fushë. Sfida e kthimit në “Elbasan Arena” u fitua nga Serbia 0-2 më 8 tetor 2015.
Në total, hiq fitoren 0-3 në tavolinë të Shqipërisë, Serbia na ka mposhur pesë herë dhe skuadrat në një rast janë ndarë në barazim. Katër gola ka shënuar ekipi ynë, kundrejt 15 të pësuarve. Duket se ka ardhur koha që Shqipëria të fitojë në fushë kundër Serbisë dhe ndeshja e radhës është pranë, edhe pse me shumë emocione.