Emërimi i Luigji Biankos si nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovën është pritur me gëzim nga Dioqeza Prizren – Prishtinë, thonë nga Ipeshkvia e Kosovës. Ky emërim u bë nga Papa Leoni XIV, më 20 maj, vetëm 12 ditë pasi ai mori timonin e Selisë së Shenjtë në Vatikan, pas vdekjes së Papa Françeskut, më 25 prill të këtij viti.
Don Shan Zefi, vikar i Ipeshkvisë së Kosovës, thotë se emërimi i delegatit të ri apostolik për Kosovën ndodhi në një kohë të shkurtër nga papa i ri dhe se ky është një sinjal i mirë për vendin.
“…sepse edhe ky papë, qysh në fillimin e pontifikatit të tij, përnjëherë merret me çështjen e Kosovës. Prandaj edhe e ka emëruar këtë delegat për Kosovën, që e ka selinë në Lubjanë”, thotë Don Shan Zefi për Radion Evropa e Lirë.
Por, roli i Luigji Biankos nuk do të jetë krejtësisht i njëjtë në Slloveni dhe Kosovë.
Nunc apostolik është përfaqësuesi diplomatik më i lartë i Vatikanit në një shtet të caktuar – ngjashëm me ambasadorët e shteteve të tjera, si dhe përfaqësues i Papës pranë kishës katolike lokale.
Ndërkaq, sipas sqarimeve që më herët ka dhënë Vatikani, misioni i një delegati apostolik “nuk është i një natyre diplomatike, por i përgjigjet kërkesës për të plotësuar në mënyrë adekuate nevojat baritore të besimtarëve katolikë”.
Vatikani, për herë të parë, emëroi delegat apostolik për Kosovën në shkurt të vitit 2011. Ai u emërua nga Papa Benedikti XVI.
Arsyeja pse Vatikani nuk emëron nunc për Kosovën, por vetëm delegat apostolik, është sepse Selia e Shenjtë ende nuk e ka njohur formalisht Kosovën si shtet.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, vendin e kanë njohur deri më tash 119 shtete.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Selisë së Shenjtë për të marrë një qëndrim lidhur me shqyrtimin e mundshëm të njohjes formale të pavarësisë së Kosovës, si dhe për të kuptuar pengesat apo konsideratat kryesore që ndikojnë në këtë proces. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.
Mosnjohja komplekse e Kosovës nga Vatikani
Çështja e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë shihet si çështje komplekse nga diplomatë dhe ish-diplomatë të Kosovës, si dhe nga Ipeshkvia e Kosovës.
Vehbi Miftari, shefi i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë, thotë se raportet ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit kanë hyrë në një fazë të re dhe dinamike.
Sipas tij, intensifikimi i marrëdhënieve politike, dekretimi i Misionit të Përhershëm të Kosovës në Vatikan (në vitin 2023), thellimi i raporteve kulturore dhe angazhimi i përbashkët për promovimin e vlerave kulturore dhe të lirive njerëzore dëshmojnë për njohjen e realitetit demokratik të Kosovës dhe përafrimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy palëve.
Megjithatë, ai flet edhe për pengesat për njohjen formale të Kosovës nga Selia e Shenjtë.
“Duhet të kemi parasysh se, përtej raporteve politike, dialogu ekumenik, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe dialogu politik Kosovë-Serbi janë po aq të rëndësishëm për Selinë e Shenjtë”, thotë Miftari për Radion Evropa e Lirë.
Don Shan Zefi, vikar i Ipeshkvisë së Kosovës, thekson se Selia e Shenjtë me vëmendje përcjell dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka nisur që nga viti 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, por ende nuk është përmbyllur.
“Sa më parë që të shihet fundi i tij, aq më parë Selia e Shenjtë do ta njohë Kosovën. Ky është mendimi im personal. Po, sepse ka filluar ky proces për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj edhe ndoshta pritet ose hezitohet [nga Selia e Shenjtë] derisa të shihet qartë se do të arrihet një marrëveshje paqeje ndërmjet dy shteteve”, thekson Don Shan Zefi.
Ai gjithashtu është në mesin e atyre që vlerësojnë se ndër pengesat kryesore për njohjen e Kosovës nga Selia e Shenjtë është ekumenizmi, apo dialogu ndërkishtar për pajtim ndërmjet kishave të krishtera: katolike, ortodokse dhe protestante.
Ndarja e Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse ndodhi rreth dhjetë shekuj më parë, ndërkaq Kisha Protestante u nda nga ajo Katolike në shekullin e 16-të. Ekumenizmi, së fundi, mori hov në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të dhe vazhdon edhe sot.
Kisha Ortodokse Ruse dhe Kisha Ortodokse Serbe kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, Don Shan Zefi vlerëson se Selia e Shenjtë e ka parasysh gjithë politikën botërore dhe mund të ketë rezervat e veta për njohjen e Kosovës si shtet.
“Sigurisht që nga ana e ortodoksisë [botës së krishterë ortodokse] ka vërejtje që Kosova të mos njihet ose është ende herët të njihet. Pritet, në pikëpamje diplomatike, që Serbia ta njohë Kosovën, të ketë marrëdhënie me Kosovën, e më pas të ndërhyhet”, thotë Don Shan Zefi.
Mendim të ngjashëm ka edhe publicisti Engjëll Koliqi, i cili që nga viti 1990 jetoi për dy dekada në Itali dhe për disa vite ishte gazetar i Radio Vatikanit. Ai thotë se Vatikani e njeh realitetin e Kosovës dhe provë për këtë është komunikimi i vazhdueshëm që Selia e Shenjtë ka me liderët institucionalë të vendit.
Koliqi shpreh bindjen se mungesa e deritanishme e njohjes formale juridike për Kosovën lidhet me shmangien e pasojave në dialogun ekumenik nga ana e Vatikanit.
“Është duke u zhvilluar dialogu ndërkishtar për bashkimin e të krishterëve dhe me këtë njohje [të Kosovës nga Vatikani] do të tërboheshin ortodoksët serbë dhe ata rusë dhe gjithçka do të dështonte”, thekson Koliqi në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Dialogun ekumenik e sheh si një prej shkaqeve të mosnjohjes së Kosovës nga Vatikani edhe Albert Prenkaj, ish-ambasador në Romë nga viti 2008 deri në vitin 2012 dhe ish-drejtor politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës në periudhën 2013–2022.
Ai thotë se në komunikimet e para ndërmjet Vatikanit dhe Kosovës, kësaj të fundit i është thënë se Vatikani njeh vetëm vendet që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara.
“Kosova nuk është anëtare e OKB-së ende. Ndërkaq, Kisha Ortodokse Serbe apo Patrikana e Beogradit është gjithmonë një problem gjatë këtij rrugëtimi. Pra, ne e dimë se çfarë qëndrimi ka Patrikana e Beogradit, por edhe shteti i Serbisë karshi Kosovës”, thekson Prenkaj.
Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë si pjesë të saj edhe sipas Kushtetutës së vet. Në këtë kontekst, shteti serb ka pasur dhe vazhdon ta ketë mbështetjen e Federatës Ruse.
Megjithatë, sipas Prenkajt, Kosova vazhdimisht ka insistuar për marrjen e njohjes nga Selia e Shenjtë, duke i parashtruar argumentet e saj.
Argumenti i parë, sipas tij, është ai politik: se Kosova është një realitet i ri dhe shtetësia e saj është në favor të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në Ballkan.
Argumenti i dytë është se Kosova ka shpallur shtetin mbi parimin e vetëvendosjes, sipas të Drejtës Ndërkombëtare.
Argumenti i tretë, siç thotë Prenkaj, është se shtetet që e kanë pranuar Kosovën e kanë bërë këtë mbi bazën e dy argumenteve të para dhe, në këtë kontekst, Kosova kërkon edhe njohjen nga Vatikani.
Si i shohin institucionet e Kosovës raportet me Vatikanin?
“Republika e Kosovës dhe Selia e Shenjtë kanë raporte shumë të mira, të cilat janë intensifikuar vazhdimisht”, thuhet në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë nga Zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Nga kjo zyrë thonë se, falë angazhimit të presidentes Osmani dhe kujdesit të Papës Françesku, tashmë të ndjerë, si dhe Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë, “marrëdhëniet kanë shkuar duke u thelluar”.
Si rezultat i këtij angazhimi, në janar të vitit 2023, Kosova dhe Vatikani janë pajtuar që marrëdhëniet të ngrihen në një nivel edhe më të lartë dhe nga Osmani është dekretuar Misioni i Posaçëm i Kosovës në Vatikan.
Miftari, i cili drejton Misionin e Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë, thotë se që nga vendosja e këtij misioni, Kosova ka qenë vazhdimisht e pranishme në Vatikan, “duke krijuar raport besimi e partneriteti me Selinë e Shenjtë, duke ndikuar që bashkëpunimi të shtrihet jo vetëm në rrafsh politik, por edhe në atë kulturor e social”.
A ka sinjale për njohje eventuale nga Vatikani?
Nga Presidenca e Kosovës thonë se presidentja Osmani vazhdon angazhimin e saj për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve “deri në njohjen e Kosovës nga Vatikani dhe vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike”.
Por, nuk kanë komentuar nëse ka ndonjë sinjal konkret për njohjen eventuale të Kosovës nga Vatikani për një kohë të shpejtë.
Megjithatë, nga Misioni i Posaçëm i Kosovës në Selinë e Shenjtë vlerësohet se “përafrimi i vazhdueshëm” mes Kosovës dhe Vatikanit i kontribuon synimit për të marrë njohjen formale nga Vatikani.
“Thellimi i marrëdhënieve politike dhe i bashkëpunimit kulturor e social, prania e përhershme e Kosovës në Selinë e Shenjtë nëpërmjet misionit të saj në Vatikan, kujdesi që shteti i Vatikanit ka treguar ndaj realitetit politik e demografik në Kosovë, dialogu i hapur dhe i thellë dhe vullneti i institucioneve të Kosovës për t’i trajtuar raportet me Vatikanin si prioritet të politikës së jashtme i kontribuojnë gjithsesi këtij synimi”, thotë Miftari për Radion Evropa e Lirë.
Si nisi komunikimi me Vatikanin?
Kontaktet e para të liderëve politikë të Kosovës me Vatikanin nisën në pjesën e parë të viteve ’90.
Lideri i atëhershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më vonë edhe president i Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 1993 takoi Papën Gjon Pali II. Ishte hera e parë që Selia e Shenjtë priste një lider politik nga Kosova në audiencë private me Papën.
Rugova njihej si lider i rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës në vitet ’90, kur regjimi i atëhershëm i Serbisë, me në krye Sllobodan Millosheviqin, suprimoi autonominë e Kosovës në kuadër të ish-Jugosllavisë, duke instaluar pushtetin në mënyrë të dhunshme.
Takime të Rugovës me Papën Gjon Pali II pati edhe gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në vitin 1999, por edhe pas saj.
Në prill të vitit 2005, Papa Gjon Pali II vdes, ndërkaq në janar të vitit 2006 vdes Ibrahim Rugova, asokohe president i Kosovës.
Në shkurt të vitit 2008, pasuesi i Papa Gjon Palit II, Papa Benedikti XVI, priti në audiencë private presidentin e atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Takimi ndodhi dy javë para se Kosova të shpallte pavarësinë e saj, më 17 shkurt 2008.
Ish-ambasadori i parë i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, thotë se në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë, Federico Lombardi, asokohe zëdhënës i Selisë së Shenjtë, përmes një deklarate për opinionin kishte lënë të kuptohej se Vatikani e njihte realitetin e ri dhe se i ftonte liderët politikë të Kosovës dhe Serbisë “të shfaqin maturi dhe përmbajtje”, në mënyrë që “të krijohet një premisë për një të ardhme me respekt, pajtim dhe bashkëpunim”.
“Kjo është kuptuar asokohe nga ana e Kosovës si një njohje implicite nga Vatikani, pra se ai e njeh një realitet të ri, por në frymën e sistemit të vlerave të Selisë së Shenjtë – Vatikanit, inkurajon dialogun [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë]”, thekson Prenkaj për Radion Evropa e Lirë.
Don Shan Zefi vlerëson se, megjithatë, koha kur ish-presidenti Rugova kishte kontaktet me Papën Gjon Pali II shënon periudhën më të mirë të komunikimit ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit.
“Ka pasur një simpati të madhe për ne. Që me Papën Gjon Pali II, ajo simpati sikur është zbehur. Nuk është ajo fuqia që e kishim atë kohë, me Papën Gjon Pali II, sepse atëherë, të gjithë ne që ishim këtu, si shqiptarë në Kosovë, kemi lëvizur dhe kemi parë me të vërtetë që një derë ka qenë gjithmonë e hapur”, thotë vikari i Ipeshkvisë së Kosovës.
Ai thekson se autoritetet e Ipeshkvisë së Kosovës vazhdojnë të kërkojnë nga Selia e Shenjtë ta njohë Kosovën edhe formalisht si shtet. Megjithatë, sipas tij, në këtë synim nevojitet angazhimi i të gjithë faktorëve nga Kosova, në veçanti atyre institucionalë.
Kisha Katolike e Kosovës, e cila para luftës së vitit 1999 ishte në kuadër të Dioqezës Katolike të Shkupit dhe Prizrenit, në vitin 2000 u nda nga juridiksioni i kësaj dioqeze, duke u bërë Administratë Apostolike e Prizrenit. Që nga maji i vitit 2019, ajo u ngrit në gradën e Dioqezës së re të Prizrenit dhe Prishtinës.
Çka duhet bërë?
“Ta ftojmë shenjtërinë e tij të vijë në Kosovë”, thotë Don Shan Zefi, duke iu referuar Papës Leoni XIV. Siç thekson ai, institucionet e Kosovës, bashkë me Ipeshkvinë e Kosovës, duhet ta çojnë përpara një kërkesë për vizitë të papës në Kosovë.
Ai vlerëson se papa aktual është edhe jurist dhe do ta kuptojë edhe më mirë të drejtën e shtetit të Kosovës.
“Nuk ka diskutim, sepse edhe ky papë – sidomos ky papë tani, si jurist – do ta kuptojë se Kosovës i nevojitet edhe formaliteti i njohjes juridike, sepse në kuptimin joformal, Selia e Shenjtë e ka njohur Kosovën”, thekson vikari i Ipeshkvisë së Kosovës.
Ish-diplomati Prenkaj pajtohet që një ftesë nga institucionet e Kosovës për për Papa Leonin për një të ashtuquajtur “vizitë baritore” në vend do të ishte veprim i duhur.
Por, Kosova duhet me këtë rast t’i plotësojë tri kushte: që shteti të jetë dakord, që bashkësia fetare më e madhe e vendit (në rastin konkret, Bashkësia Islame e Kosovës) të japë një ‘po’, si dhe të mos ketë kundërshtime nga ndonjë komunitet tjetër religjioz.
Kreu aktual i BIK-ut, Naim Tërnava, kishte takuar Papa Françeskun në vitin 2014, gjatë vizitës së këtij të fundit në Shqipëri. Ai e kishte falënderuar Papën për kontributin dhe kujdesin e tij dhe Vatikanit për Kosovën.
Prenkaj vlerëson se vetëm kushti i parë mund të jetë problematik, për të kërkuar pajtimin për “vizitën baritore” eventuale të papës, për shkak se Vatikani ende nuk e njeh Kosovën si shtet.
“Unë mendoj se komunikimet e Selisë së Shenjtë janë të veçanta nga shteti në shtet dhe unë mendoj se do të tejkalohet ky rregull. Besoj që në një vizitë të ardhshme baritore [të Papa Leonit], mirëpo duhet të insistohet edhe nga ana e institucioneve të Kosovës, edhe nga ana e religjioneve që janë në Kosovë”, vlerëson Prenkaj.
Sipas tij, Kosova duhet të synojë njohjen formale nga Vatikani edhe përmes një konkordati të nënshkruar me Selinë e Shenjtë.
Konkordati është marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe një shteti tjetër, me të cilën rregullohen raportet juridike ndërmjet Kishës Katolike dhe shtetit në të cilin ajo vepron.
Ai thotë se për idenë e një konkordati, Kosova dhe Selia e Shenjtë kanë biseduar qysh në vitet 2017–2018.
Idenë e nënshkrimit të një konkordati ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë, si kusht për marrjen e njohjes, e përmend edhe Don Shan Zefi.
“Ndoshta do të duhej të bëhej edhe këtu një konkordat, sepse ne si bashkësi, si Kishë Katolike, nuk e kemi ende subjektivitetin tonë juridik. Kështu që ka për t’u bërë ende. Do të thotë, nuk janë miratuar ligjet për bashkësitë fetare, nuk dihen pozicionet e bashkësive fetare. Ka shumëçka për t’u sqaruar më parë, që Vatikani ta njohë Kosovën”, thekson Don Shan Zefi.
Ai dhe Prenkaj shprehin mendimin se njohja eventuale e Kosovës nga Selia e Shenjtë do ta lehtësonte jashtëzakonisht procesin e marrjes së njohjeve nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën (Spanja, Sllovakia, Greqia, Qipro, Rumania). Gjithashtu, sipas tyre, kjo njohje do t’i stimulonte dhe hapte rrugë njohjes edhe nga shumica e vendeve të Amerikës Latine, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Më herët, mundësinë e një vizite në Kosovë e kishte paralajmëruar Papa Françesku, tashmë i ndjerë, i cili për shkaqe shëndetësore nuk arriti ta realizonte.
Ftesë për vizitë në Kosovë i ishte bërë nga liderët institucionalë edhe më herët, si Papa Françeskut ashtu edhe Papa Benediktit XVI.
Deri më tash, Kosovën nuk e ka vizituar asnjë papë. REL