Klasikja në Francë i takoi Marseille në një ndeshje të tensionuar në Parc des Princes. Pesë lojtarë u përjashtuan me të kuq.
Dy ndeshje, dy humbje në Ligue 1, Paris Saint Germain nuk e ka nisur aspak mirë sezonin e ri.
Të besuarit e Thomas Tuchel, me tifozët në stadium dhe me rikthimin e Neymar dhe Di Maria, që ishin me COVID-19, besuan se mund ta arrinin fitoren e parë për sezonin 2020/21.
Por, rivali i përbetuar, Marseille, kreu detyrën duke triumfuar 0-1 midis ‘Parc des Princes’.
Atëherë kur vendasit po dominonin në pjesën e parë dhe po kërkonin golin e epërsisë, erdhi ndëshkimi nga mysafirët.
Florian Thauvin realizoi për 0-1 në minutën e 31-të.
PSG tentoi dhe e kërkoi golin shumë edhe në pjesën e dytë, por ai nuk erdhi, duke pësuar kështu humbjen e dytë këtë edicion në po kaq ndeshje.
Në këtë klasike të zjarrtë në Francë, nuk munguan përleshjet mes futbollistëve, cka përfundoi me pesë kartonë të kuq dhe 12 të verdhë.
Në mesin e të përjashtuarve ishte edhe Neymar Junior, për një goditje që i dha kundërshtarit në fund të ndeshjes.
Të gjithë pesë futbollistët u përjashtuan pas disa përleshjeve pas minutës së 90-të; Layvin Kurzawa, Leandro Daniel Paredes dhe Neymar për PSG-në, kurse Jordan Amavi dhe Dario Benedetto për Marseille.