Publikohen tre foto të rralla të “Mbledhjes së 81 Partive Komuniste” e zhvilluar në nëntor të vitit 1960, ambientet e Kremlinit në Moskë.
Kjo mbledhje, do të ishte pika kulminante e acarimit dhe më pas prishjes së marrdhënieve politike ndërmjet udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik e drejtuar nga Nikita Sergejeviç Hrushov dhe Partisë së Punës së Shqipërisë, të udhëhequr nga Enver Hoxha.
E njohur ndryshe dhe si: “Mbledhja e Moskës”, në vitet ’70-të ajo ngjarje gjeti një përdorim të gjërë artistik, si në artet figurative, nëpërmjet tabllosë së piktorit të njohur, Guri Madhit, (“Piktor i Popullit”), ashtu edhe në letërsi, në romanin e shkrimtarit të tonë të njohur, Ismail Kadare, të titulluar Dimri i Vetmisë së Madhe (fillimisht , ‘Dimri i madh’), e cila njihet edhe si një nga kryeveprat e tij.
Ajo mbledhje e 81 Partive Komuniste nga mbarë bota, që do të konsiderohej edhe si eventi më i rëndësishëm i vëndeve komuniste, të cilat asokohe ishin nën suazën e Kremlinit të udhëhequr nga Hrushovi, do të prodhonte një situatë të nderë dhe acaruese, pasi edhe sipas dëshmive dhe dokumentave të kohës, do të arrinte të degradonte deri në fyerje personale, ndërmjet Hoxhës dhe Hrushovit.
Në këto tre foto paraqiten aspekte të ndryshme të kësaj mbledhjeje si: mbërritja e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, në stacionin Kievskaya të Moskës, nënshkrimi i marrëveshjes zyrtare të bashkëpunimit ndërmjet 81 Partive Komuniste nga pjesa e mbetur e këtij delegacioni, e pasuar nga Hysni Kapo dhe Ramiz Alia (ku shihet qartë edhe prania e përkthyesve Myfit Mushi, dhe Agim Popa), si dhe fotoja përmbyllëse e të gjithë delegacioneve pjesëmarrëse në këtë mbledhje (e bërë nga sallën e famshme ‘Georgievskaya’ të Kremlinit), ku në të majtë të saj ndodhen Kapo dhe Alia./Memorie.al/