Kosova
Publikohet letrat prekëse e Saranda Bogujevcit për gjyshen e saj: ‘Dëshmova në ditëlindjen e nënës’
BBC, në vitin 2007, i kishte publikuar letrat që Saranda Bogujevci ia kishte dërguar gjyshes së saj, derisa në një prej letrave, ajo i tregon gjyshes se si kishte dëshmuar në Hagë, në ditëlindjen e saj.
Uniformat e lezetshme të shkollës, ditët e ngrohta të Mançesterit dhe salla e refugjatëve, formojnë impresionet e hershme të shpëtuar nga Kosova. Fragmente këto të shkëputura nga letrat që ajo dërgoi në shtëpi.
Saranda Bogujevci, 22 vjeçare, gëzoi ikjen më të mrekullueshme nga paramilitarët serb, të cilët shpuan trupin e saj me 16 plumba, në masakrën që ndodhi në kopshtin e shtëpisë së saj, në një fshat në Podujevë, më 28 Mars të vitit 1999. Gjashtë anëtarë të familjes së saj u vranë, përfshirë këtu nënën dhe vëllain e saj.
Saranda la gjakderdhjet prapa saj në Prishtinë dhe u vendos në Mançester, ku u shërua nga plagët që kishte marrë. Por tmerri i vrasjes së familjes së saj ende e ndjek atë dhe pas disa vitesh kur ajo u kthye prapë në rajon për të dëshmuar kundër vrasësve.#
Më poshtë janë fragmente nga letrat që ajo i shkroi gjyshes së saj, ndërsa po mësohej me ambientin e ri në veri-lindje të Anglisë.
10 SHTATOR 1999
E dashura gjyshe! Kanë kaluar shumë muaj që kur të kam parë dhe shumë gjëra kanë ndodhur qysh atëherë. Dua të tregoj se si përfundova këtu, e shtrirë në spitalin e Mançesterit, në Angli. Të katër kushërinjtë ishim të shtruar në spitalin e Prishtinës. Këtu na sollën disa ushtarë, pasi familja jonë u godit.
Jashtë ishte shumë errët – zi si korbi. Dritat në korridor ishin shumë të zbehta. Brenda ishte shumë qetë. Unë shihja infermieret që endeshin poshtë e lartë nëpër korridor, por nuk shihja asnjë ushtar. Zakonisht korridori ishte i mbushur me ushtarë të dehur e të plagosur. Ata bënin shumë zhurmë, bërtisnin, qeshnin, këndonin, bile ndonjëherë edhe shtinin me armë. Por këtë natë, asgjë e tillë nuk ndodhte.
Në mëngjes, kur erdhi koha që infermieret t’më zgjonin nga gjumi, asgjë nuk ndodhi. Kështu që unë dhe vajza me të cilën ndaja dhomën e spitalit, u ngritëm të shkojmë në banjo. Ndërsa prisja atë, hodha shikimin nga dritarja dhe pashë shenjat e NATO-s nëpër tanke. Edhe pse isha e lodhur dhe e rraskapitur, vrapova nëpër korridor dhe i tregova kushërirës time, Jehonës. Më bëhej të bërtisja me aq zë sa kisha.
2 SHKURT 2000
E dashura gjyshe. Herën e fundit kur të shkrova, isha e shtrirë në spital. Nejse, që atëherë gjërat janë përmirësuar. Ende më duhet të shkoj tek fizioterapeuti tërë kohën, ndonjëherë deri në pesë herë në javë, por të paktën në mbrëmje mund të shkoj në shtëpi.
Para pothuaj tre muajsh, pata një operacion të madh në krah. Të lutem mos u merakos për plagët e mia, sepse doktorët këtu kujdesen shumë për mua. Aq shumë, saqë jam kthyer në shkollë. Është kënaqësi të jem së bashku me moshatarët e mi. Plus, unë e vesh uniformën e shkollës që është shumë e lezetshme. Askush nga nxënësit në Kosovë nuk do t’i vishte, por këtu të gjithë vijnë në shkollë me funde ngjyrë hiri, pulovra dhe kollare ngjyrë vjollce.
Mësimet ma heqin mendjen nga ajo që ndodhi vitin e kaluar. Edhe pse mësoj vetëm shkencë, matematikë dhe tek-tuk ndonjë mësim arti, unë humb veten me detyrat që kam. Po ashtu, nxënësit dhe mësuesit sillen shumë mirë me mua, gjë që ma lehtëson jetën.
Më vjen çudi, se si sistemi shkollor këtu është ndryshe nga ai në Kosovë. Në vend që mësuesit të kenë sallën e arsimtarëve, ata kanë një dhomë në klasën time dhe atyre iu duhet të rrinë me ne.
Edhe pse po shërohem përbrenda, prapë se prapë ka gjëra që ma zenë rrugën. Unë nuk mund të shprehem siç duhet. Ka shumë raste kur nuk mund të shpreh mendimet e mia sepse nuk e flas gjuhën angleze aq mirë. Fakti i tillë po më çmend. Dua t’iu them njerëzve:”Unë nuk po tregoj veten time, unë nuk po shprehem ashtu siç synoj!”
Por nuk kam mundësi, kështu që ndjehem sikur të isha dikush tjetër. E urrej këtë gjendje. Unë kurrë nuk kam qenë aq e urtë në shtëpi, po këtu mësuaesit mendojnë se jam shumë e sjellshme. Sikur t’më njihnin! Më ka marrë shumë malli për ty dhe shtëpinë. Shpresoj të shihemi së shpejti. Me dashuri, Saranda.
20 GUSHT 2002
E dashura gjyshe. Sapo isha duke menduar për ty. Tashmë e kam sistemin e muzikës dhe kënga e kushëririt tonë Ismetit ishte duke kënduar. E di cila, ajo kënga e dasmave. Po që se mbylli sytë, e shoh veten në kopshtin tonë në Podujevë, në një ditë me diell. Sot është nxehtë edhe këtu. Kjo nuk ndodh shumë shpeshë, por në Mançester ndonjëherë bëhet mjaft ngrohtë, por jo si tek ne.
Sidoqoftë, kam ca lajme të mira. Sot kam marrë rezultatet e GCSE-së (ato janë si provime që i kryen në fund të shkollës fillore). Kam marrë notën më të lartë në lëndën e artit!
Unë mendoj se pata mësues të mirë, por prapë se prapë ndjehem paksa çuditshëm, sepse nuk i pata kryer detyrat ashtu siç duhet. Nuk isha e sigurt se a do t’i kaloja provimet apo jo. Kalova vitin me nota të larta dhe kjo ishte gjëja e fundit që prisja.
Meqë ra fjala, kohën fundit kam më shumë besim kur flas me njerëz në gjuhën angleze. Tashmë, unë me të vërtetë mund të them atë çka mendoj. Gjatë viteve të kaluara, jam ndjerë e tejdukshme dhe më vjen mirë që dikush tjetër nuk flet në vendin tim. Mendoj që të studioj artin në kolegj sepse pata notën më të lartë. Shkolla e artit ku kam vendosur të shkoj është shumë e mirë.
A të kujtohet kur mendoja të bëhem farmaciste? Se si ndryshojnë gjërat. Të them të drejtën, mendoj se nuk do të isha bërë shumë farmaciste e zonja, mbase është edhe për të mirën e shëndetit të tjerëve. Shpresoj të të shoh së shpejti. Me dashuri, Saranda.
MARS 2003
E dashura gjyshe. Po ndjehem çuditshëm sot. Ne u kthyem dje nga aeroporti, por ende nuk më besohet që gjykimi përfundoi. Që kur serbët erdhën dhe na goditën me armë, unë doja që ata të dalin para drejtësisë. Kur i pashë ata ulur në sallën e gjyqit, në njërën anë u ndjeva e lumtur sepse mund të rrëfeja se çfarë na bënë ata ne, por në të njejtën kohë isha e frikësuar.
Ne ishim të shqetësuar se diçka mund të ndodhte përsëri. Ishte vështirë t’a kalonim tërë procesin sepse kishim nevojë për mbrojtje gjatë 24 orëve, që nga momenti kur shkuam në Beograd, deri në momentin kur u larguam.
Ishte disi e çuditshme sepse më duhej të dëshmoja ditëlindjen e nënës time dhe më kujtohet kur u ktheva me veturë, shikoja diellin dhe kisha vënë kokën në dritare. Ishte një ditë e shndritshme. Nejse, brenda një sekondi, ja ku ishte, atë e kisha përballë duke më buzëqeshur. Kisha harruar se sot ishte ditëlindja e saj, megjithatë e kisha rregjistruar në kalendarin e celularit në mënyrë që ta kujtoja. Kur e ndeza celularin, u ndez alarmi me mesazhin, “Ditëlindja e mamit”.
Na u desh të nisemi dhe më u kthyem përsëri në shtëpi, këtu në Mançester. Kam kaluar shumë kohë duke menduar se çfarë ndodhi gjatë vitit 1999, dhe tani, të paktën ndjehem se mund të eci përpara. Më duket se është në rregull të eci përpara sepse njerëzit që më bënë këtë mua, ty, tërë atyre femrave dhe fëmijëve të tjerë, tashmë janë dënuar. Më mungon. Me dashuri, Saranda.
SHTATOR 2004
E dashura gjyshe. Sapo u ktheva nga qyteti, ku u takova me një shoqe. Ajo është si unë. Edhe ajo e ka familjen nga një vend tjetër dhe plotësisht e kupton se çka do të thotë të kesh në jetën tënde dy kultura, të kesh një këmbë në Mançester dhe një këmbë në një vend tjetër. Ajo është shumë e qetë dhe nuk më gjykon fare.
Përveç Claire, unë po zë shoqëri edhe me të tjerët. Është qesharake, sepse kur u ktheva në shtëpi këtë verë dhe u mundova të shoqërohem me shokët dhe shoqet e mija që kam pasur, ishte edhe më vështirë nga ç’e prisja. Shumica prej tyre janë martuar, apo kanë shkuar nëpër vende të tjera. Supozoj se të gjithë jemi ndarë. Ne nuk jemi të njëjtit njerëz siç ishim në shkollën fillore.
Po ashtu, ka edhe gjëra të tjera të mira në Mançester. Unë kam filluar të merrem me shumë aktivitete të tjera. Teatri lokal, Royal Exchange, ka mbledhur refugjatë që aktrojnë dhe ne po përgatisim një shfaqje për një studio teatri. Kam mësuar shumë nga roli. Shumica prej nesh nuk kishim aktruar më parë dhe kjo na ofroi më shumë me njëri-tjetrin. Shfaqja që ne përgatitëm është quajtur Ballë për Ballë – dashuria në Britaninë e Madhe dhe e tëra ka lidhje me marrëdhëniet. Të bën shumë për të qeshur. Sa do të kisha dëshirë që ti t’a shihje. Me dashuri, Saranda.
30 QERSHOR 2007
E dashura gjyshe, kam mjaft kohë që të shkruaj sepse jam në pushimet verore universitare. Kurrë nuk mund t’ia qëllosh se ku do të shkoj vitin e ardhshëm…Kanada. Më kujtohet kur kam qenë fëmijë dhe dëshiroja të shkoja nëpër vende të ndryshme, veçanërisht në Angli. Kurrë nuk kisha besuar se do të jetoj këtu dhe tashmë po shkoj prapë në një vend tjetër.
Mezi pres t’iu shoh të gjithë juve. Kosova do të jetë gjithmonë vendi i fëmijërisë time dhe vendlindja ime, po Mançesteri do të jetë vendi ku u bëra e rritur. Do të kisha dëshirë të flas me mamin dhe t’a pyes se çka mendon për mua si një e rritur. A është Saranda e rritur ajo që gjithmonë ka pasur në mendje? Kurrë nuk do ta di. Do të shkruaj së shpejti. Me dashuri, Saranda.//KosovoInsights
Kosova
Zgjedhjet në Kosovë, minus 52 mijë vota, si shpjegohet rënia e LDK-së?
Rreth 52 mijë vota më pak, apo minus pesë vende në Kuvendin e Kosovës – ky është bilanci i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nëse krahasohen dy palë zgjedhjet parlamentare të mbajtura këtë vit.
Faktorët që ndikuan në këtë rënie të mbështetjes për LDK-në nga elektorati janë të shumtë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Por, sipas tyre, kryesorët janë “qasja jo e duhur e lidershipit të partisë”, mosveprimi i partisë “sipas pritjeve të elektoratit” dhe “margjinalizimi i strukturave të vjetra”, të cilat tërheqin votuesit tradicionalë të kësaj partie.
Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 28 dhjetor, për LDK-në votuan 119.201 qytetarë, apo 13.57 për qind e pjesëmarrësve në votime.
Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, LDK-ja mori mbështetjen e 171.357 kosovarëve, ose të 18.27 për qind të atyre që votuan atë ditë.
LDK-ja “ia mbylli dyert vetes”
Analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja kryesore pse LDK-ja ka pësuar “rënie të madhe” në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka nisur 11 muaj më parë.
Ai rikujton qëndrimin që asokohe kishte bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, se partia e tij nuk do të hynte në koalicion as me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila kishte fituar 42 për qind të votave në shkurt, dhe as me dy partitë tjera, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për një qeveri eventuale të kampit ish-opozitar asokohe.
LDK-ja refuzoi ofertën e LVV-së për partneritet në qeverisje.
“Është pikërisht qasja jo e duhur e lidershipit të partisë… Unë jam i bindur që kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë te logjika se si votojnë dhe si kanë votuar votuesit e LDK-së, për shkak se për mua është e pakuptimtë që një parti, e cila ekziston për të ardhur në pushtet – sikurse çdo parti tjetër – thjeshtë ia mbyll dyert vetes”, thekson Mushkolaj.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021, LDK-ja kishte marrë vetëm 12.73 për qind të votave. Megjithatë, ajo shënoi përmirësim në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u rritur për 5 pikë përqindjeje.
Analisti Rrahman Paçarizi konsideron se kur votuesit i rikthehen një partie, ata presin edhe veprim të saj.
“Ndërkohë, veprimi i LDK-së nuk ka ndodhur fare, apo nuk ka ndodhur ashtu siç e kanë pritur ose perceptuar ata votues, të cilët kanë menduar dhe shpresuar që LDK-ja do të jetë pjesë e institucioneve”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se LDK-ja nuk ka arritur që ta ndërtojë rrëfimin e saj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat u pasuan me zvarritje disamuajshe të konstituimit të Kuvendit. LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arriti ta krijonte e vetme qeverinë e re, gjë që dërgoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të fundvitit.
Megjithatë, trendi i rënies së numrit të votuesve të LDK-së, sipas Paçarizit, kishte nisur rreth pesë vjet më parë.
Ardhja e Abdixhikut në krye të partisë në vitin 2021 nënkuptoi edhe një ekip të ri njerëzish më të besueshëm të tij në strukturat drejtuese të partisë.
Përpjekjet për ripërtëritjen e partisë, thotë Paçarizi, nuk prodhuan edhe rezultat të mirë tek ruajtja e elektoratit.
“Mendoj se LDK-ja i ka lënë pas dore strukturat më të vjetra të saj, të cilat tashmë pothuajse janë margjinalizuar dhe janë struktura të fjetura. Votuesit e këtyre strukturave nuk bëhen elektorat i askujt tjetër, por refuzojnë të dalin për ta votuar LDK-në”, thekson Paçarizi.
Në linjë të njëjtë shpreh mendimin edhe Mushkolaj, i cili po ashtu e sheh margjinalizimin e disa prej njerëzve nga strukturat më të vjetra të LDK-së, si shkaktar të rënies së numrit të votuesve të kësaj partie.
“Të mos harrojmë se profili i votuesve të LDK-së janë edhe njerëzit në moshë mesatare dhe të shtyrë, të cilët gjatë viteve të tëra e kanë asociuar LDK-në me këta njerëz. Atëherë, mos pritni që të njëjtit kanë për t’ia dhënë votën LDK-së. Më e pakta që ata mund të bëjnë është që të abstenojnë nga votimi dhe të mos votojnë LDK-në”.
Ku shkuan votuesit e LDK-së?
Rënia e numrit të votuesve të LDK-së më 2021, rikthimi i një numri të tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe rënia e sërishme në zgjedhjet 28 dhjetorit, tregojnë se mjaft prej këtyre votuesve i takojnë “zonës së hirtë” të elektoratit.
Paçarizi shpjegon se ky elektorat është i papërcaktuar për ndonjë parti politike. Sipas tij, LDK-ja arriti të përfitojë një përqindje të mirë të këtij elektorati prej vitit 2021 e deri në shkurt 2025, kur u mbajtën zgjedhjet.
Por, siç thotë ai, brenda 11 muajve të fundit, LDK-ja nuk arriti që këtë elektorat ta mobilizonte në drejtim të saj.
“Pati mungesë të përpjekjes për t’i ftuar, për t’i apeluar votuesit që të hidhen në ‘zonën e hirtë’ ndërmjet partive politike. Ata janë votues të emancipuar, të cilët shohin programet e partive politike. Kjo ka qenë fatale për LDK-në, e cila është rikthyer në rezultatin e saj të vitit 2021”, thekson Paçarizi.
Ndërkaq, Mushkolaj vlerëson se një numër i madh i votuesve të papërcaktuar më 9 shkurt votuan për LDK-në. Por, gjatë 11 muajve të fundit, ata ndryshuan mendje.
“Një numër i madh i këtyre njerëzve që kanë votuar për LDK-në më 9 shkurt, janë kthyer te Lëvizja Vetëvendosje. Unë mendoj që kjo ka ndodhur për shkak se te LDK-ja nuk e panë qëndrueshmërinë dhe seriozitetin e një partie për të ardhur në pushtet, qoftë me opozitën, qoftë me partinë fituese”, shprehet ai.
E ardhmja e mundshme e LDK-së
Në mbrëmjen e 28 dhjetorit, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, lideri i LDK-së pranoi mbi vete përgjegjësinë për rezultatin e ulët të partisë së tij në këto zgjedhje.
Ai paralajmëroi se së shpejti LDK-ja do të mbajë Kuvendin e përgjithshëm, për të adresuar hapat e mëtejmë, dhe nuk përjashtoi mundësinë e dorëheqjes së tij.
Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë kontaktoi zyrtarë të LDK-së, por ata nuk ishin të gatshëm të komentonin zhvillimet e mundshme brenda partisë.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike i shohin paralajmërimet e Abdixhikut si një hap para dorëheqjes së tij. Ata besojnë se brenda LDK-së ka persona me ambicie për ta marrë drejtimin e timonit të LDK-së, por mbetet ende pikëpyetje se kush mund të jetë lideri i ardhshëm.
Mushkolaj thekson se ndryshimi eventual i kryesisë së LDK-së duhet të nënkuptojë edhe ndryshim të qasjes së deritashme të udhëheqjes së partisë.
“Nëse do të ketë qasje të ngjashme me këtë të Abdixhikut, nuk mendoj se LDK-ja mund të këndellet, dhe të jetë parti e fortë dhe serioze në garë kundrejt [Albin] Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi Mushkolaj.
Homogjenizimi i elektoratit të LDK-së, sipas Paçarizit, kërkon një lider, i cili duhet të ketë qasje përbashkuese të strukturave të partisë.
Por, siç vlerëson ai, pavarësisht ambicieve të disa personave për ta marrë drejtimin e LDK-së, këndellja e kësaj partie do të jetë e vështirë.
“Kur dihet që zgjedhjet e radhës me gjasë do të jenë pas katër vjetësh, atëherë vështirë se do të ketë një lider që do ta marrë me vullnet partinë dhe do të arrijë ta mbajë për katër vjet të ndezur elektoratin e LDK-së, në mënyrë që të shënojë ndonjë rezultat”, shprehet Paçarizi.
Rezultatet preliminare e nxorën LDK-në partinë e tretë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ajo parashihet t’i ketë 15 vende në Kuvend, ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kur i fitoi 20 sosh.
Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka siguruar 56 vende në Kuvend, PDK-ja 21, AAK-ja 6, ndërsa 20 vende të tjera janë të garantuara për komunitetet joshumicë./REL
Kosova
Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën në Reçak, kur u vranë 45 civilë më 15 janar 1999.
Ndaj O.S.,R. M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”.
Ata akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes.
Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, meqë ata janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.
Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.
Prokuroria tha se të pandehurit e kishin rrethuar fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”.
Më pas, sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi më shtëpi, dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar që të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”.
“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.
Atëbotë, si pasojë e këtij operacioni të forcave serbe, afër 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, tha Prokuroria.
Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale ka kërkuar për këtë rast, mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.
Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.
Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.
Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e kishte bërë William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndëprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit.
Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
Kosova
Gjenden të vdekur dy persona në një vilë në Pejë
Dy persona, një burrë dhe një grua, janë gjetur pa shenja jete në një vilë në Pejë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Policia dhe Prokuroria në këtë komunë.
Policia është njoftuar për rastin rreth orës 15:10, tha zëdhënësi i këtij institucioni në Pejë, Fadil Gashi.
“Rreth orës 15:10 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar. Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore”, u shpreh ai.
Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se në vendngjarje ka dalë prokurorja për krime të rënda dhe kryeprokurori, ndërkaq trupat e pajetë do të tërhiqen nga vendi i ngjarjes për t’iu nënshtruar autopsisë, me qëllim që të përcaktohen shkaqet e vdekjes.
“Lidhur me këtë çështje janë siguruar prova në vendin e ngjarjes të cilat do të shërbejnë për veprimet e mëtejme. Janë identifikuar dëshmitarët, të cilët mund të intervistohen për të kuptuar më shumë informata rreth ngjarjes”, u shpreh ai.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se viktimat ishin në të 20-tat. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë ndarë me publikun detaje të tjera për këtë ngjarje.
-
Albania20 hours ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK3 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania5 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK5 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports3 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK19 hours agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK2 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
