Njeriu që ka publikuar ato që njihen si Letrat e Pentagonit më 1971, ka dëshmuar më 16 shtator në mbrojtje të themeluesit të faqes Wikileaks, Julian Assange në seancën e ekstradimit që po zhvillohet në Londër, duke thënë se veprimet e Assangeit, janë të ngjashme me të tijat, dhe kanë pasur synim interesin publik.
Daniel Ellsberg, 89-vjeçar, që ka publikuar Letrat e Pentagonit lidhur me luftën në Vietnam, i ka thënë gjykatës se publikimet që ka bërë Assange më 2010 dhe 2011, u kanë treguar amerikanëve se si mund të keqinformohen ata për veprimet e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan.
Assange, 49-vjeçar, është duke luftuar që të ndalojë ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, meqë atje është akuzuar për komplot të hakimit të kompjuterëve qeveritarë dhe shkelje të ligjit për spiunim, kur ka bërë publike disa komunikime konfidenciale, përcjell rel.
Sikurse materiali i publikuar nga Wikileaks, rrjedhja e informacionit nga Letrat e Pentagonit kishte bërë publik informacion sekret dhe pati shokuar publikun rreth asaj që dinë liderët ushtarakë për luftën, për dallim nga ajo që i transmetohet publikut.
Sikurse, Assange, Ellsberg është përballur me mundësinë e disa dekadave në burg. Ai ishte gjykuar për 12 akuza në lidhje me shkelje të Aktit të Spiunimit, mirëpo akuzat më pas janë hedhur poshtë.
Ellsberg i ka thënë gjykatës se pas takimit me Assange, ai ka ardhur në përfundim se ndan të njëjtat aspirata me të – për të vënë dritë mbi “mungesën e madhe të transparencës” në qarkun e vendimmarrjes në Shtetet e Bashkuara, sidomos kur janë në pyetje luftërat.
“Publiku amerikan duhet të ketë njohuri se çfarë po bëhet në emrin e tyre, dhe kjo gjë nuk mund të kuptohet ndryshe përveç publikimeve të paautorizuara”, ka thënë ai në dëshminë e shkruar.
Avokatët e Assangeit besojnë se ai nuk do të përballet me gjykim të drejtë në SHBA, andaj ekstradimi i tij përbën rrezik vetëvrasës.
Më 2012, Assange është strehuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër, për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku ishte akuzar për krime seksuale.
Assange ka mohuar akuzat, të cilat më vonë kanë rënë poshtë.
Policia britanike e ka larguar atë nga ambasada e Ekuadorit më 2019, dhe e ka burgosur për mosrespektim të lirimit me kusht, lidhur me rastin suedez.