Mbyllja e papritur e tre kazinove në Meksikë, mes tyre edhe Casino Palermo në Nogales, jo vetëm ka ekspozuar një rrjet ndërkombëtar pastrimi parash që lidhet me emra shqiptarë, por ka qenë edhe një fatkeqësi për qindra punonjës të mbetur rrugëve, pa paga, pa informacion dhe pa asnjë mbrojtje institucionale.
Teksa autoritetet amerikane dhe meksikane nisin manovrat financiare që lidhen me sanksionet kundër familjes Hysa, punëtorët e thjeshtë flenë brenda ambienteve të kazinosë për të mbrojtur të vetmen garanci që u ka mbetur — mobiliet që kompania mund t’i zhdukë natën. Historia e tyre është fotografia më e qartë e çmimit njerëzor të një aferë globale. Shkrimi i plotë i lasillarota.com më poshtë:

Më shumë se 30 punonjës të Casino Palermo, në pronësi të familjes Hysa po flenë brenda ambienteve të lokalit në Nogales për të ndaluar largimin e pajisjeve pa u garantuar shlyerjet e tyre financiare, pas mbylljes federale të lidhur me një rrjet ndërkombëtar pastrimi parash.
Janë mbi 30 të prekur që thonë se mbyllja u krye në mënyrë të menjëhershme, duke u dëbuar pa paralajmërim dhe pa asnjë shpjegim rreth së ardhmes së tyre në punë dhe të drejtave që u takojnë.
Mbyllja e Palermo-s ndodhi pak orë pasi Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara njoftoi sanksione kundër një rrjeti të drejtuar nga familja Hysa, me origjinë shqiptare, të cilës i atribuohen operacione masive të pastrimit të parave.
Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) dhe Rrjeti për Zbatimin e Krimeve Financiare (FinCEN) identifikuan të paktën 10 kazino në Meksikë që dyshohen se janë të lidhura me këtë skemë të paligjshme financiare.
Për të shmangur largimin e pasurive që do t’u zvogëlonin mundësinë për t’u shlyer, mbi tridhjetë punëtorët e prekur në Nogales kanë marrë një masë ekstreme: flenë me turne brenda ambienteve të Casino Palermo-s.
Me këtë, ata kërkojnë të ndalojnë njerëzit e kompanisë të nxjerrin mobiliet apo asetet që mund të shërbejnë si garanci pagese, përballë heshtjes së pronarëve.
Pa asnjë shpjegim
Laura López Vieyra, nënë e një familjeje, ndau dëshminë e saj për mediat meksikane duke theksuar mungesën totale të komunikimit: “Mbyllja ishte e papritur dhe i nxorën të gjithë punëtorët pa asnjë informacion. Asnjë autoritet, e aq më pak ndonjë përfaqësues i kazinosë, nuk është afruar të na informojë,” tha ajo, duke pasqyruar dëshpërimin e kolegëve për mungesën e përgjigjeve të qarta.
Kazino që janë mbyllur në Sonora janë Casino Palermo në Nogales, Emine Casino në San Luis Río Colorado dhe Midas Casino në Agua Prieta.
E gjithë kjo pas publikimit të një liste nga qeveria e Shteteve të Bashkuara që lidh këto biznese me dyshime për operacione pastrimi parash të lidhura me krimin e organizuar.
Familje të prekura
Punonjësit ankohen se në veprimin federal, autoritetet nuk kanë sqaruar procedurat administrative të zbatuara në çdo lokal, dhe nuk kanë lëshuar një komunikatë zyrtare që të adresojë situatën e tyre të punës apo mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Punonjësi i Casino Palermo, Octavio Berrelleza, ngriti zërin për të nënvizuar rëndësinë e situatës, e cila shkon përtej dimensionit financiar.
Ai tregoi se menaxherët u kanë premtuar se më 15 do t’u paguanin të gjithëve likuidimet, por nuk janë afruar as për të biseduar, e aq më pak për të paguar pagat e prapambetura dhe shlyerjet.
“Jo vetëm që po dëmtojnë ekonominë familjare, por po shkelin edhe të drejtat tona,” tha ai, duke theksuar se askush nuk ka ardhur t’u ofrojë mbështetje, ndërsa ata ndihen të braktisur përballë mungesës së reagimit nga institucionet e punës./Përkthyer nga lasillarota.com




