Pushimet e një cifti holandez ne Shqiperi nuk shkuan ashtu sic ata i kishin enderruar. Një aksident ndryshoi tërësisht planet dhe i përballi me një keqtrajtim në institucionet e shtetit shqiptar. Për mediat holandeze Perry Beenen rrëfen se si e mbajtën në burg për 6 ditë pas aksidentit dhe vetëm duke paguar 12 mijë euro e liruan. Ndonëse nuk e përmend qytetin ku ndodhi ngjarja, mendohet se është në Sarandë nisur nga rrëfimi i tij në media. Më poshtë pjesë nga shkrimi i botuar në gazetën holandeze me titullin “Pushimet e ëndrrave në Shqipëri u kthyen në makth – Perry (53) përfundon në burg “
Perry Beenen dhe familja e tij mezi prisnin pushimet në Shqipëri. Muajin e kaluar erdhi momenti për familjen nga Veldhoveni. Ata morën me qira një makinë me të cilën donin të eksploronin vendin që po ngrihej si destinacion turistik. Por pas një aksidenti, pushimet e tyre u shndërruan në makth. Ministria e Punëve të Jashtme dhe vende të tjera evropiane kanë marrë muajt e fundit njoftime për arrestime pas aksidenteve rrugore në Shqipëri. Kohët e fundit, Ministria e Jashtme ka nisur t’i paralajmërojë në mënyrë eksplicite shtetasit holandezë për këtë. Po ashtu, rrugët në vend janë në gjendje të keqe dhe ka sjellje agresive në drejtim.
Perry Beenen nga Veldhoveni mund të dëshmojë për këtë. Muajin e kaluar ai ishte me familjen e tij dhe një familje tjetër për pushime në vendin e Evropës Juglindore. Java e parë e udhëtimit të tyre ishte e mbushur me diell, plazh dhe kulturë. Me makinën me qira ata përshkuan vendin. Më 6 gusht udhëtuan drejt një qyteti me rreth 30.000 banorë në jug të Shqipërisë, ku kishin rezervuar një hotel. Sapo mbërritën, gjithçka shkoi keq. Perry po largohej me makinë nga hoteli drejt një parkimi, kur papritur u godit fuqishëm nga ana anësore. Airbagët dolën dhe xhamat shpërthyen nga goditja e fortë. I tronditur dhe i mbushur me adrenalinë, Perry zbriti nga makina. Shumë shpejt në vendngjarje mbërritën policët. Por përfundimi i aksidentit ishte shumë ndryshe nga ç’jemi mësuar në Holandë, sipas Perry-t. “Në Holandë mbush një formular dëmi. Por unë nuk e pashë një gjë të tillë. Policia bënte vazhdimisht të njëjtat pyetje dhe unë u detyrova t’i tregoja tre herë dokumentet e makinës. Gjithçka ishte shumë kaotike.” Pasi autoambulanca mori makinën, Perry dhe gruaja e tij Annelies u shoqëruan me makinë policie në komisariat. “Na u tha se ishte thjesht një formalitet.” Por nuk doli të ishte kështu. Perry u akuzua, dhe tashmë e di përmendësh edhe numrin e nenit në Kodin Penal, për shkak se kishte shkaktuar një aksident ku ishte plagosur një person.
Jo shumë më vonë, banori i Veldhovenit u dërgua në burg. “Pak para se të më fusnin në furgonin e të arrestuarve, munda ta shihja edhe një herë gruan time. Pastaj përfundon në një qeli që të duket sikur është nga vitet ’60. Të jepnin ato batanijet me qime që përdornim kur ishim fëmijë. Përveç kësaj, kishte vetëm një tualet të vogël dhe një lavaman. Madje kishte edhe mbetje jashtëqitjesh miu.” Perry nuk qëndroi i ndaluar për orë, por për gjashtë ditë. Ai kishte vetëm kontakt me avokatin e tij. Në fund u vendos që ai të lirohej me kusht. Gruaja e tij Annelies shkonte nga një bankomat tek tjetri dhe ecte rrugëve me pako parash në dorë. Në total u deshën 12.000 euro për ta nxjerrë Perry-n nga burgu. “Pastaj del jashtë dhe të gjithë janë aty. Qamë të gjithë bashkë para hyrjes së burgut.”
Perry dëshiron që me historinë e tij të paralajmërojë turistët e tjerë holandezë për Shqipërinë. “Mendohuni mirë para se të shkoni atje. Nuk është Bashkimi Evropian. Ligjet dhe rregullat janë ndryshe dhe ata mezi flasin anglisht. Unë nuk do të shkoj më kurrë atje.”
https://omroepbrabant.bbvms.com/p/embed-responsive/c/6890701.html?inheritDimensions=true