Presidenti i SHBA, Joe Biden dhe homologët e tij të NATO-s, miratuan të martën ndryshimin më të madh që nga Lufta e Ftohtë, në mënyrën se si aleanca ushtarake do t’i përgjigjej çdo sulmi në territorin e saj nga Rusia.
Duke marrë shkas pjesërisht nga pushtimi i Ukrainës nga Moska, planet shumë sekrete të mbrojtjes parashikojnë se cilit nga 31 vendet anëtare, do t’i kërkohet t’i përgjigjej një sulmi nga rajonet e Arktikut dhe Detit Baltik, përmes Atlantikut verior dhe jugut, deri në Mesdhe dhe Detin e Zi.
“Paqja në zonën euro-atlantike është shkatërruar,”- thanë liderët në një deklaratë, duke paraqitur kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe terrorizmi.
“Së bashku, kjo paketë planesh do të përmirësojë ndjeshëm aftësinë dhe gadishmërinë tonë për të penguar dhe mbrojtur kundër çdo kërcënimi, duke përfshirë një njoftim të shkurtër ose pa njoftim, dhe për të siguruar përforcimin në kohë të të gjithë aleatëve.”
Udhëheqësit, të cilët u takuan në Vilnius, Lituani, “u angazhuan për t’i ushtruar rregullisht këto plane, me qëllimin për t’u përgatitur për mbrojtje kolektive me intensitet të lartë dhe me shumë fusha”.
Sipas planeve të reja, komandantët e NATO-s do të dinë më qartë se çfarë trupash dhe pajisjesh do të kenë në dispozicion dhe sa kohë do të duhej për t’i vendosur ato, thanë zyrtarët.
Projekti i mbrojtjes u rinovua pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës sfidoi llogaritjet tradicionale të sigurisë së NATO-s.
NATO, si organizatë, nuk i ofron armë apo municione Ukrainës. Kërkohet të shmanget zvarritja në një luftë më të gjerë me Rusinë e armatosur me armë bërthamore.
Në të njëjtën kohë, ajo po forcon masivisht sigurinë e vendeve anëtare pranë Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë. Rreth 40,000 trupa janë në gatishmëri nga Estonia përgjatë krahut lindor të NATO-s me Rusinë dhe deri në Rumani në Detin e Zi.
Rreth 100 avionë ngrihen në qiell në atë territor çdo ditë dhe gjithsej 27 anije luftarake janë duke operuar në Detin Baltik dhe Mesdhe. Këto shifra është vendosur që të rriten.
Sipas planeve të saj të reja, NATO synon të ketë deri në 300,000 trupa gati për të lëvizur në krahun e saj lindor brenda 30 ditëve.
Planet e ndajnë territorin e saj në tre zona – në veriun e lartë dhe zonën e Atlantikut, një zonë në veri të Alpeve dhe një tjetër në Evropën Jugore.
Planifikimi bazohej në fuqinë e ushtrisë ruse përpara se Presidenti Vladimir Putin të niste luftën kundër Ukrainës, pothuajse 17 muaj më parë. Lufta ka varfëruar ushtrinë ruse, por jo forcat e saj detare apo ajrore, thonë drejtuesit e lartë të NATO-s.
31 vendet anëtare të NATO-s morën pjesë në një “konferencë të gjenerimit të forcës” në fund të qershorit në një përpjekje për të kuptuar se sa trupa dhe sa pajisje mund të ketë aleanca në dispozicion për t’iu përgjigjur çdo sulmi rus, si në afat të shkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë.
Oficerët e lartë ishin optimistë rreth rezultateve, megjithëse nuk pranuan të japin detaje për arsye sigurie.
Ekspertët dhe disa diplomatë të NATO-s, megjithatë, kanë shprehur dyshime për gadishmërinë e vendeve anëtare për të vënë në gatishmëri një total prej 300,000 trupash.
Një pjesë e procesit, që nuk është thjeshtuar, është nevoja që të 31 aleatët të miratojnë nisjen e planeve të reja në rast sulmi, dhe në pika të caktuara pasi ato të vihen në veprim. Vendime të tilla politike, të cilat kërkojnë konsensus, mund të kërkojnë kohë.
“Vendimmarrësit politikë ende ruajnë kontrollin politik,”- u tha gazetarëve një zyrtar i lartë amerikan në ditët përpara samitit.
Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s, gjenerali amerikan Christopher Cavoli, “ende duhet të kthehet në NAC për të kërkuar leje”,- tha zyrtari, duke iu referuar Këshillit të Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, i cili mblidhet në nivel ambasadorësh, ministrash apo udhëheqësish kombëtarë.
“Por ai mund të ketë më shumë autoritet, pasi të jepet kjo leje, për të vënë në skenë dhe për të lëvizur forcat ushtarake,”- tha zyrtari, në kushte anonimiteti, sepse dokumentet e planifikimit ishin ende në diskutim. Apnews