Lideri konservator i “Reform UK”, Nigel Farage po e ashpërson retorikën e tij kundër Vladimir Putinit, duke e quajtur presidentin rus një “djalë shumë të keq”, teksa përpiqet të bindë britanikët që të shkojnë përtej dy partive tradicionale.
Teksa sondazhet kanë nisur ta kuotojnë përherë edhe më lartë, Farage në një intervistë me Bloomberg, shprehu zhgënjimin e tij që udhëheqësi rus nuk i ka dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Padyshim, Putini është një djalë shumë i keq”, tha Farage. “Shpresoja vërtet që Trump do ta nënshtronte Putinin, që të arrihej një lloj kompromisi, si ai që u arrit së fundmi me Gazën dhe Izraelin. Është e qartë se kjo nuk do të ndodhë”, shtoi ai.
Lideri i Reform UK është kritikuar nga kundërshtarët e tij politikë në Britani për komentet e mëparshme në lidhje me Rusinë. Gjatë fushatës së tij zgjedhore vitin e kaluar, Farage tha se Perëndimi provokoi pushtimin e Ukrainës nga Putini përmes zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.
Ndërkohë në intervistën për Bloomberg, Farage hodhi poshtë akuzat se ishte i dobët në politikën e jashtme. “Është e qartë se Putini nuk është një person racional. Ideja se unë jam i dobët në këtë çështje është thjesht absurditet”, nënvizoi ai.
Përveç kësaj, Farage tha se shtetet anëtare të NATO-s “duhet të rrëzojnë” avionët rusë që fluturojnë në hapësirën ajrore të aleancës dhe mbështeti përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar luftën e Kievit kundër Rusisë.
Megjithatë, ai duket hezitues në lidhje me dërgimin e trupave britanike për të ruajtur armëpushimin, siç ka paralajmëruar kryeministri Keir Starmer përmes idesë së tij për një “koalicion të të vullnetshmëve” në Ukrainë pas çdo marrëveshjeje paqeje.