Presidenti Vladimir Putin ka siguruar një votë plebishitare në referendumin për reformën kushtetuese, që i zgjat atij qëndrimin në pushtet për 12 vite të tjera pas 2024-ës.
Rreth 78 përqind e votuesve rusë e kanë miratuar reformën e thellë kushtetuese që lejon presidentin Vladimir Putin të garojë edhe dy herë të tjera për postin e kreut të shtetit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi informoi të enjten se gati 21 për qind e qytetarëve me të drejtë vote u shprehën kundër propozimeve ideologjike, sociale dhe institucionale që i rritin kompetencat vendimmarrëse parlamentit, i lejojnë presidentit të vendosë kursin e politikës të brendshme dhe të jashtme, rritin pensionet dhe pagën minimale, futin konceptin e Zotit në kushtetutë dhe ndalojnë martesat gej.
Procesi njëjavor i votimit nisi të enjten e kaluar i kushtëzuar nga epidemia e koronavirusit, ndonëse ishte planifikuar të mbahej në muajin prill.
Me gjithë mbështetjen e madhe popullore, ai nuk kaloi pa probleme.
Në tubimet antiqeveritare në Moskë dhe Shën-Pjetërburg, qytetarët dhe grupimet opozitare kundërshtuan veçanërisht pikën që zeron 4 mandatet aktuale presidenciale të 67-vjeçarit Putin, duke i mundësuar atij qëndrimin si president deri më 2036-ën, pas 20 vjetëve në pushtet.
Vetë Putini nuk është shprehur a do të garojë sërish për poste pas 2024-ës, kur i mbaron mandati.
“Ky nuk ishte votim i ligjshëm, as procedurë e drejtë e as referendum. Na ofruan një proces të manipuluar, fars, nga i cili nuk mund të bazohet asnjë vendim ligjor. besoj se nuk do e njohim rezultatin.”
“Gjëja kryesore që kundërshtoj është Putini dhe partizanët e tij politikë, të cilët qëndrojnë prej një jete në Rusi. Jam i indinjuar edhe për amendamentet e kushtetutës që shkelin të drejtat ndërkombëtare dhe për atë çfarë po ndodh në vend.”
Pjesëmarrja në referendumin për ndryshimet kushtetuese ishte rreth 65 për qind, përqindje e lartë kjo për Rusinë kur dihet se vendi përballet me një krizë pandemie të kovidit që ka prekur 650 mijë veta dhe ka vrarë 9,500 qytetarë të tjerë.
Ndryshimet kishin kaluar më heët në të dyja dhomat e parlamentit rus, por sipas presidentit Putin, votëbesimi i tyre nga populli do u jepte legjitimitet propozimeve të tij.