Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, është nisur drejt Shteteve të Bashkuara për samitin historik me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili pritet të mbahet në Alaskë.
Ai shihet se po shoqërohet me masa të rrepta sigurie dhe një autokolonë të blinduar që ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikut.
Pamjet filmike të publikuara nga burime ndërkombëtare tregojnë momentin kur presidenti rus udhëton me një limuzinë të zezë të blinduar, e rrethuar nga një autokolonë mbresëlënëse me dhjetëra automjete. Kolona lëviz me shpejtësi në rrugë të mbyllura për qarkullimin e lirë, të cilat janë siguruar më parë nga forcat vendore dhe federale amerikane.
Në video duken qartë vetura policie që shoqërojnë autokolonën në të dyja anët, si dhe një automjet i bardhë që ngjan me një ambulancë – pjesë standarde e protokollit të sigurisë në raste të tilla. Prania e ambulancës, si dhe e automjeteve të tjera të specializuara, sugjeron gatishmëri maksimale për çdo eventualitet.
Ky takim në Alaskë pritet të jetë një nga më të ndjeshmit në arenën ndërkombëtare, duke marrë parasysh agresionin trevjeçar rus në Ukrainë.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende shumë detaje mbi agjendën e takimit, por tema e përfundimit të Ukrainës si dhe ekonomia globale do të jenë në fokus.