Presidenti rus, Vladimir Putin premtoi se do të ketë dërgesa të shpejta të gazit në Bashkimin Evropian nëpërmjet ”Nord Stream 2” sapo gazsjellësi i detit Baltik të marrë dritën jeshile nga rregullatorët gjermanë.
Putin theksoi se gazi natyror mund të fillojë të rrjedhë brenda 24 orëve pas miratimit nga Agjencia Federale Gjermane e Rrjetit, e cila rregullon energjinë elektrike, gazin, telekomunikacionin dhe tregjet e tjera.
Tubacioni i gazit nga Rusia përmes detit Baltik në Gjermani, një linjë e dyfishtë rreth 1 200 kilometra e gjatë, përfundoi në shtator.
Agjencia Federale e Rrjetit ka afat deri në fillim të janarit për të vendosur për një leje funksionimi për tubacionet, të cilat duhet të furnizojnë deri në 55 miliardë metra kub gaz natyror në vit nga Rusia.
Kremlini i ka kërkuar Gjermanisë që të miratojë me shpejtësi ”Nord Stream 2”, duke argumentuar se do të ndihmojë në plotësimin e deficitit të gazit natyror që ka mbërthyer Evropën dhe do të rrisë çmimet e energjisë.
Disa në BE kanë akuzuar gjigantin rus të gazit ”Gazprom” për frenim të dërgesave të gazit dhe kontribuar në rritjen e çmimeve.
Kritikët e ”Gazprom”-it dyshojnë se gjiganti i energjisë nuk po i përgjigjet kërkesës në rritje evropiane për të detyruar një fillim të shpejtë të ”Nord Stream 2, ku ”Gazprom”-i ka aksione të konsiderueshme.