Vetëm dy javë pas përplasjes së flotës ruse me anijet britanike në Detin Baltik dhe me ato holandeze në Detin e Zi, Putin ka provokuar sërish perëndimin duke u shprehur se për marinën ushtarake të kontrolluar nga Moska “çdo objektiv është i shkatërrueshëm”.
“Sot, marina ruse ka gjithçka që i nevojitet për të mbrojtur në mënyrë të pagabueshme atdheun dhe interesat tona. Ne jemi të aftë të lokalizojmë çdo objektiv armik mbi ose nën ujë, por edhe në ajër dhe ta shkatërrojmë me një goditje të vetme vdekjeprurëse, nëse nevoja do e kërkojë diçka të tillë”– ka thënë Putin përgjatë një parade ushtarake të marinës që po zhvillohej në qytetin e tij të lindjes në Shën Petersburg.
Putin ka shtuar se vendi i tij është “superfuqi detare, që është efektive në distanca të afërta dhe të largëta, shfrytëzon më së miri sistemet super-moderne të mbrojtjes dhe ka një saktësi të frikshme, që nuk e gjen shokun në të gjithë botën”.
Fjalimi i Putin ka nxitur menjëherë reagime në perëndim, teksa edhe pas samitit me Biden në 16 qershor në Gjenevë, duket se ai nuk do të tërhiqet nga agresionet ndërkombëtare dhe provokimet ushtarake.