Presidenti rus, Vladimir Putin tha të premten se Rusia po zbulon mercenarë të huaj në Ukrainë dhe se disa prej tyre janë kapur gjatë ditëve të fundit.
“Ne po zbulojmë mercenarë të huaj dhe instruktorë të huaj si në fushën e betejës ashtu edhe në njësitë ku kryhen stërvitje. Sipas mendimit tim, dje dhe pardje dikush u kap përsëri i burgosur”, deklaroi Putin në një konferencë për shtyp pas bisedimeve me presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko në Soçi.
Putin shtoi se Rusia nuk ka nevojë të ftojë njerëz nga jashtë për të luftuar, pasi kohët e fundit ka regjistruar rreth 300,000 njerëz si vullnetarë në ushtri.
“Këtë mëngjes mora raportin – 300,000 kontrata u nënshkruan nga njerëz që, dua të theksoj, janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën e tyre për interesat e atdheut të tyre, duke mbrojtur interesat e Rusisë,” nënvizoi shefi i Kremlinit.
Putin u shpreh se njësitë e reja që luftojnë në Ukrainë po pajisen me armë dhe pajisje moderne.