“Rreziku i një konflikti botëror mbetet shumë i lartë”. Alarmi është lëshuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë një mbledhje të këshillit të shefave të agjencive të sigurisë dhe shërbimeve sekrete të ish vendeve të Bashkimit Sovjetik.
“Po shfaqen rreziqe dhe sfida të reja për sigurinë kolektive, kryesisht për shkak të një përkeqësimi të fortë në gjeopolitikën globale”, tha Putin.
Shefi i Kremlinit ktheu vëmendjen nga Ukraina, duke e akuzuar atë se është kthyer në një instrument i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Ukraina ka humbur sovranitetin e saj”, tha Putin. Kjo mbledhje erdhi pasi presidenti rus mbikëqyri stërvitjet e kryera nga forcat strategjike bërthamore të vendit. Në një deklaratë, Kremlini nënvizoi se të gjitha objektivat ishin përmbushur dhe se raketat kishin goditur shënjestrat e tyre.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Sergej Shoigu, konfirmoi se ushtarët rusë po praktikonin lëshimin e një sulmi masiv bërthamor, si kundërpërgjigje ndaj një shënjestrimi armiqësor nuklear të mundshëm. Gjatë stërvitjes janë lëshuar raketa ndërkontinentale Yars, nëndetëse dhe avionë bombardues Tupolev.
Kjo vjen mes një situate mjaft kritike me Moskën që akuzon vazhdimisht Ukrainën se po planifikon të përdorë një “bombë të pisët”, duke ju referuar një bombe me materiale radioaktive. Por nuk kanë dhënë asnjë provë për këtë dhe po vlerësohet gjerësisht nga Perëndimi si fabrikim i një preteksti nga Rusia për të përdorur armë të ndaluara në luftë.
Madje Kremlini ka shtuar akuzat duke e konsideruar prezencën e trupave amerikane në Rumani, një rrezik për vendin. Këtyre pretendimeve të Moskës, i është përgjigjur NATO, që i bën thirrje Putin të mos përdorë pretekste false për përshkallëzimin e luftës. “Aleanca do t’i mbrojë të gjithë aleatët”, siguron organizata ushtarake duke nënvizuar se nuk do të intimidohet në mbështetjen e Ukrainë.